Vllaznia nuk do më blofe, ndaj në Durrës do të udhëtojnë vetëm për të fituar. Një duel që vendos përballë dy skuadra që kanë domosdoshmëri pikësh dhe barazimi është i ndaluar. I këtij mendimi është Mevlan Adili, qendërmbrojtësi i afruar në janar te kuqeblutë.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” shkupjani e ka të qartë se nuk do të jetë një transfertë e lehtë, por paralajmëron se luftojnë për çdo top.

E vlerëson kundërshtarin, por në anën tjetër e sheh të kalueshëm në Kupën e Shqipërisë. Kujtojmë që shkodranët do të luajnë në çerekfinale pikërisht me Teutën dhe 25-vjeçari duket i bindur se rrugëtimi në këtë kompeticion do të mbyllet me trofe.

Eliminuat Flamurtarin dhe zyrtarisht jeni në çerekfinale. A i është shtuar “oreksi” Vllaznisë për ta tentuar këtë trofe?

Jemi shumë të kënaqur me kualifikimin. Realizuam objektivin që i kishim vënë vetes. Vllaznia është ekip trofesh dhe është krejt normale që të luftojë për të shkuar në finale dhe për të qenë fituese e këtij kompeticioni. Pastaj, ky trofe do ta na dërgonte edhe në Europë.

Si për koincidencë, këtë të diel shkoni në Durrës për të sfiduar Teutën, kundërshtar që do ta hasni edhe në Kupë…

Është ekip i mirë. Kemi respekt për Teutën. Në fillim të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës në kampionat, pastaj do të kemi kohë të përqendrohemi te Kupa. Specifikat janë të ndryshme në këto përballje.

Pika e fortë e kësaj Vllaznie janë transfertat, kjo statistikë do t’ju favorizojë në “Niko Dovana”?

Mendoj që në këtë ndeshje nuk luajnë rol statistikat. Nëse ne bëjmë lojën tonë dhe luftojmë për çdo top, pa dyshim që nuk do të na mungojnë pikët nga kjo transfertë.

Një barazim do të ishte i pranueshëm apo fitorja mbetet objektiv i patjetërsueshëm?

Më shumë do të na kënaqin 3 pikët. Jam i bindur se do të japim të gjithë më të mirën nga vetja për të nxjerrë rezultatin sa më pozitiv në favorin tonë.

Renditja është shumë e ngjeshur dhe shanset e Vllazninë janë sa për Europë aq edhe për në “play-out”. Si e shihni fundin e këtij sezoni?

Renditja momentale nuk do të thotë se ka ardhur fundi i ambicieve tona. Madje, kjo do të na bëjë të jemi më të fortë. Ne do të luftojmë deri në fund dhe nëse do të kemi më shumë fat, jam i bindur se do të jemi më lart në tabelën e klasifikimit.

Për ta mbyllur. Si kanë kaluar këta dy muaj në Shkodër, jeni përshtatur?

Ndihem shumë i lumtur që jam këtu. Kam gjetur ngrohtësi prej drejtuesve, stafit dhe sigurisht futbollistëve. Me sjelljen e tyre të shkëlqyer ma lehtësuan gjithçka. Të gjithë së bashku më kanë bërë që të ndihem si në shtëpi.