“Nuk jam akoma i diasporës. Jam ende Hasani nga Tirana”. Trajneri që në dy dekadat e fundit ka drejtuar Partizanin, Teutën, Vllazninë, Luftëtarin, Kukësin, Lushnjën, Besën, Apoloninë dhe Kombëtaren U-21 e nis bisedën ekskluzive për “Panorama Sport” me një batutë.

Prej pak muajsh 59- vjeçari është zhvendosur në Amerikë me familjen, natyrisht për një jetë më të mirë. I kontaktuar nga gazeta, Lika pranon t’i bëjë një analizë kampionatit shqiptar, duke prekur disa nga temat më të nxehta, por mbi të gjitha për t’u ndalur te Partizani, skuadrës që i kushtoi karrierën si lojtar dhe më pas në periudha të ndryshme e drejtoi si trajner.

“E kam ndjekur kampionatin, por jo dhe aq shumë, sepse kur luhen ndeshjet më rastis që jam në punë këtu në Amerikë. Por, gjithnjë marr leje dhe mundohem të shikoj nga telefoni ndonjë pjesë loje ose më tepër. Ndeshjet e fundit që kam ndjekur janë Partizani-Teuta dhe ato të Kombëtares”, tregon Lika, i cili deri në muajin mars të këtij viti ishte trajner i Vllaznisë.

Zoti Lika, çfarë ju bën përshtypje kur shikoni renditjen pas 7 javëve kampionat?

Shumë skuadra kanë bërë ndryshime të mëdha në krahasim me sezonin e kaluar dhe për disa prej tyre gjërat kanë shkuar shumë mirë, ndërsa për të tjerat jo dhe aq. Megjithatë, nuk mund të themi se është vërtet një barometër kjo renditje aktuale, pasi kanë kaluar vetëm 7 javë dhe jemi ende në fillimin e kampionatit. Diferencat janë shumë të vogla. Më vjen mirë për Vllazninë, që ka bërë ndryshime të mëdha, por kjo sigurisht që ishte normale, pasi ekipi vinte nga Kategoria e Parë. Për mua befasi është Bylisi, një ekip që meriton vërtet komplimente.

Mendoni se është një rastësi që kemi katër skuadra në krye apo do të ketë ndryshime javë pas jave në renditje?

Shikoni, disa ekipe, edhe pse mund të kenë luajtur mirë, nuk kanë marrë pikët që kanë merituar. Por, ka pasur edhe të tjera, që nuk është se kanë bërë ndonjë paraqitje mbresëlënëse, por në fund të fundit kanë marrë rezultate pozitive. Nuk mendoj se kanë luajtur keq ekipet që janë më poshtë skuadrave që krye “ sojnë tabelën. E thashë, diferencat janë shumë të vogla dhe për disa skuadra ndoshta duhet ende kohë që të harmonizohen, prandaj dhe kemi këtë situatë.