Xhani De Biazi është pyetur edhe në lidhje me Milot Rashicën dhe Hamdi Salihin, i cili së fundmi ka “varur këpucët në gozhdë”, duke treguar edhe nëse është penduar apo ndien keqardhje që nuk i mori në “Euro 2016”.

“Rashica? Një lojtar shumë i mirë me një perspektivë të shkëlqyer. Nuk ka ardhur me ne sepse nuk kishte luajtur asnjë ndeshje me ne gjatë kualifikueseve. U kam dhënë kënaqësinë e Europianit djemve që na kishin çuar deri aty.

Salihi? Është i njëjti diskutim që thashë për Rashicën. Duhen bërë zgjedhje dhe ato që bëra i konsideroja më të drejta në atë kohë. Mora ata lojtarë që dhanë më shumë kontribut në dy vitet e kualifikueseve.

Hamdiu i ka dhënë shumë Kombëtares, ka qenë i rëndësishëm, por në ato moment duhet të merrja vendime të tjera. Unë nuk shoh emrin e askujt, por interesat e Kombëtares mbi të gjitha”, tha De Biazi për “Panorama Sport”.