Tërbuni luan me Burrelin sot dhe në skuadër kanë një mision: të mos rreshtojnë barazimet. Florian Peqini as e mendon lënien epikëve në “Liri Ballabani”. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, qendërmbrojtësi 37-vjeçar thotë:

“Pas atij barazimi me Skënderbeun kemi nxjerrë mësime. Nuk duhet t’i rreshtojmë barazimet dhe sidomos në shtëpi, pasi transfertat dihet që janë histori tjetër.

Jemi stërvitur gjatë gjithë javës dhe jemi gati për Burrelin. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, pasi ka një klub me traditë. E megjithatë, qëllimi i vetëm ynë është që të marrim rezultat pozitiv.

Uroj të fitojë më i miri në fushë. Këtë takim do të kemi edhe Vilfor Hysën, të rikthyer tashmë dhe bashkë me sulmuesit e tjerë besoj se do të japin më të mirën që ne të dalim fitimtarë nga kjo përballje.

Nëse marrim pikët e plota, atëherë do të them se jemi në rrugën e duhur për realizimin e synimeve tona.

Sezoni i kaluar është cilësuar si arritja më e mirë e Tërbunit. Besoj se këtë vit do të përmirësohemi edhe më shumë dhe nuk do t’u lëmë hapësira kundërshtarëve”.