Në ndeshjen e fundit të Adës ndaj Shënkollit, Besnik Ndoj ka qenë padyshim lojtari i ndeshjes. Portieri ka pritur një penallti, që i mohoi fitoren Shënkollit.

Kështu, portieri velipojak është shndërruar në protagonist, ndonëse është në një moshë të madhe, 39-vjeç. Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, ai ka shprehur emocionet e tij, pas asaj penalltie të pritur nga ana e tij.

“E vërtetë që ndaj Shënkollit, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, që na u donte një rezultat pozitiv përveç faktit dhe pozicionit ku ndodhemi. Sa i përket penalltisë, normale që ishte një emocion i bukur.

Ndjehem shumë mirë, sepse gjendem në një grup futbollistësh shumë të ri, ku mosha e tyre është 17-18 vjeç. Ata më motivojnë mua. Gjej rastin t’i falënderoj, sepse po japin maksimumin e tyre bashkë me ardhjet e përforcimeve në fazën e dytë.

E vërtetë, mosha ime është 40-vjeç, por vazhdoj me të njëjtin emocion, sikur të isha moshë me to”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Ndoj flet edhe për ndeshjen e rradhës që Ada ka me Internacionalin e vendit të fundit, teksa shpalos edhe synimet që kanë velipojakët deri në fund të sezonit.

“Padiskutim, vetëm fitore ndaj Internacionalit dhe shpresojmë që këtë fazë të dytë, të kemi vetëm rezultate pozitive. Unë besoj shumë në këtë grup futbollistësh që po rriten çdo ditë e më shumë.

Synimet e Adës janë të punojmë sa më shumë këtë vit, sepse ky grup ka shumë talenta dhe shpresojmë që vitin tjetër me ndihmën e presidentit, Alfred Pjetri, të bëjmë një miksim futbollistësh dhe ta çojmë Adën, aty ku i takon pra në Kategorinë e Parë, pastaj do tërhiqem nga futbolli i luajtur.

Falënderoj çunat për përpjekjen, trajnerët Arbër Shytani dhe Aldair Fishta. Padiskutim një vlerë të madhe ka Kreshnik Krepi dhe trajneri i ekipeve zinxhir të Adës, Etrit Nika, që kanë merita të mëdha tek Ada”,-mbylli prononcimin e tij, portieri i Adës, Besnik Ndoj.
Maringlen ZHIVANI