baz Karakaçi vjen si “ekspert” në Elbasan. Pasi ka ngjitur Tërbunin dhe Kastriotin, të njëjtin mision ka edhe me verdheblutë. Beson fort që kështu do të ndodhë në fund të sezonit 2023-2024 dhe këtë e bazon te projekti ambicioz që drejtuesit kanë.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, e para si lojtar i skuadrës elbasanase, mesfushori rrëfen shumëçka. Pranon se nuk e kishte të lehtë të linte elitën për të luajtur në Kategorinë e Parë, por u bind nga kushtet e plotësuara dhe serioziteti që gjeti te drejtuesit. Shkodrani nuk sheh asnjë sfidë me ish-trajnerin Emiljano Çela, ndërsa beson se rivali më i madh për ta do të jetë Kastrioti…


Si e prisni aventurën në Elbasan?

Për mua është një eksperiencë e re dhe shpresojmë të arrijmë objektivat e ekipit. Qëllimi ynë është një i vetëm, ngjitja.


Nga Superiorja në Kategori të Parë, ishte e vështirë për ju kjo zgjedhje?

Për mua ishte shumë i vështirë largimi, jo vetëm nga Superiorja, por edhe nga ekipi i Kastriotit. Aty isha si në shtëpinë time.


Jeni ngjitur me Kastriotin dhe Tërbunin në Superiore, mendoni se do t’ia dilni edhe me Elbasanin?

Elbasani do të bëhet ekipi i tretë që do të ngjis në Superiore (qesh). Për këtë motiv do të luftojmë shumë, jo vetëm unë, por i gjithë ekipi.


Si e shihni garën për ngjitjen, me aq sa i njihni skuadrat e kësaj kategorie?

Garën për ngjitjen dhe rivalitetin e kemi vetëm me Kastriotin. Besoj se edhe ata këtë vit do të luftojnë fort për t’u ngjitur sërish. Ka ndryshuar shumë për mirë gara kur e krahasoj me para katër sezonesh kur kam qenë në Kategorinë e Parë. Gara do të jetë e fortë dhe shpresoj të ketë surpriza, ku ne premtojnë shumë dhe luftojmë gjithashtu fort.

Si e shihni faktin, që lojtarët më të lakuar në merkato për ekipet që pretendojnë elitën, janë futbollistë të Kastriotit?

Kjo tregon që Kastrioti kishte një ekip shumë të mirë dhe cilësor. Prandaj ekipet po luftojnë me rivalët e tyre për marrjen e lojtarëve në ekip dhe këtë e tregoi merkatoja.


Po me ish-trajnerin Emiljano Çela, keni ndonjë sfidë, pasi do të jeni kundërshtarë këtë sezon?

Unë kam ardhur në Elbasan vetëm për vendin e parë. Nuk kam sfidë me asnjë njeri. Falënderoj presidentin e Elbasanit, sepse më plotësoi çdo dëshirë për të qenë pjesë e këtij klubi. Një falënderim edhe për profesor Nevil Deden, për besimin që tregoi tek unë.