Trajneri i Erzenit, Xhevahir Kapllani, është optimist në prag të fillimit të kampionatit, teksa sot skuadra e tij do të luajë ndaj Vllaznisë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në orën 17:00. Në bisedën për “Panorama Sport”, ai u premtoi tifozëve shijakas se ekipi do të bëjë maksimumin për të qenë sa më dinjitoz këtë sezon. Fillimisht ai foli për ndryshimet e shumta në skuadër dhe synimet.

“Kam ato dilemat e mia për tri-katër pozicione sa i përket formacionit, por do të vendos vetëm pak orë para ndeshjes. Deri në orën 12:00 do t’ua komunikoj lojtarëve se kush do të luajë nga fillimi.

Objektivi ynë do të jetë gjithnjë ndeshja e radhës. Nuk mund të flasim tani për gjëra të mëdha. Duam të qëndrojmë në Superiore dhe të jetë ky vit si pikënisje për të shtruar një rrugë të sigurt për të ardhmen e Erzenit.

Pra, të krijohet një projekt dinjitoz për vazhdimësinë”, deklaroi Kapllani, i cili në fund foli edhe për faktin që do të luajnë në fushë asnjanëse. “Të gjitha ndeshjet do t’i zhvillojmë në Durrës dhe duke ditur që tifozëria shijakase është shumë e zjarrtë, kjo na penalizon.

Do të ishte mirë të luanim në fushë tonë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë besoj shumë se tifozët shijakas, jo vetëm në Durrës, por në çdo qytet ku do të luajmë, do të na mbështesin.Ne do të mundohemi t’i kënaqim me lojë dhe rezultate. Do ta përfaqësojmë denjësisht Erzenin”, përfundoi trajneri.