Nga 12 vendet e podiumit për të 4 kategoritë, çiklistët e Vllaznisë kanë zënë gati gjysmën e tyre, plot 5 dhe kjo tregon më së miri për dominimin e tyre në etapën e parë të kupës “Agim Tafili”, atë me itinerar Tiranë- Shkodër e zhvilluar paraditen e sotme.

Pas përfundimit të kësaj etape, trajneri i Vllaznisë Leonat Kola në një prononcim për mediat është shprehur shumë i kënaqur me atë çfarë paraqitën sportistët e tij në garë

“Jemi mëse të kënaqur me rezultatet që kemi arritur në këtë etapë të parë të kupës “Agim Tafili” duke parë edhe faktin që kushtet atmosferike të garës kanë qenë shumë të vështira dhe nga nisja e deri në mbërritje çiklistët u shoqëruan nga shiu dhe era.

Por çiklistët e Vllaznisë nga fillimi e deri në fund ishin në krye të grupit, komanduan etapën dhe arritëm ta mbyllim me sukses atë duke realizuar premtimin që kishim dhënë për fitimin e këtij trofeu”.

Ndërkohë nesër do të zhvillohet etapa e dytë dhe e fundit e kupës “Agim Tafili” dhe i pyetur në lidhje me pretendimet e çiklistëve të Vllaznisë në të, trajneri Kola përgjigjet: “Ne kemi bërë shumë përgatitje, është terreni ynë dhe shpresojmë që edhe këtë etapë ta mbyllim me sukses”.
© shkodrasport.com