Pas humbjes në javën e kaluar me Veleçikun në transfertë, Ada ka gjetur fitoren në javën e 18-të. Këtë fitore e ka gjetur në shtëpi, duke mundur Gramshin me shifrat 4-1.

E veçanta e kësaj ndeshje ka të bëjë me atë rezultat që fituan velipojakët, teksa kishin më shumë se gjashtë vite pa fituar, duke shënuar plot katër gola. Duke folur pas ndeshjes në fjalë për “Shkodra Sport”, trajneri i Adës, Arbër Shytani, pranoi emocionet që e shoqëruan në këtë fitore të sotme, aq më tepër që edhe fitorja ishte ndaj një ekipi që renditet në vendin e katërt, siç është Gramshi.

“Për ne ishte një ndeshje mjaft delikate për shumë arsye, duke pasur parasysh se kishim një kundërshtar që ka pretendime për vendet e para, siç është Gramshi, por edhe për faktin, sepse ne na duhej patjetër fitorja.

Kështu që në këto kushte, e kishim vlerësuar maksimalisht këtë takim ndaj Gramshit dhe ky vlerësim u shpërblye me një fitore të merituar, ku dominuam për gjatë gjithë lojës, duke arritur të shënonim katër gola.

Sigurisht që, për ne faza e dytë është shumë herë më pozitive dhe padyshim që lojtarët e ardhur në janar, i kanë dhënë edhe më shumë besim dhe cilësi skuadrës.

Kjo gjë u tregua edhe sot, ku pavarësisht se ne po dominonim Gramshin, nga një episod u gjendëm në disavantazh dhe skuadra gjeti forca për të reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përmbysur dhe duke thelluar avantazhin, gjë që tregon se tashmë, ekipi ka krijuar besim në potencialin që ka për t’u përballur me çdo kundërshtar.

Për ne, është një fitore, që na vlen në shumë drejtime dhe patjetër edhe në anën psikologjike, po të kemi parasysh moshën e re të ekipit tonë.

Këto fitore me ekipet e kreut, i japin moral dhe i rrisin këta lojtarë, që iu mungon eksperienca, ku padyshim që një ndihmesë shumë të madhe në këtë drejtim, jep kapiteni Ndoj, i cili me eksperiencën e gjatë që ka, është një pjesë shumë e rëndësishme për harmonizimin e grupit dhe për funksionimin e gjërave te kjo skuadër.

Në fazën e dytë, ekipi është ashtu siç e kishim menduar, pasi kur e kemi ndërtuar këtë ekip me djem shumë të rinj, e kemi marrë parasysh që rezultatet duan kohën e vet dhe nuk mund të jenë të menjëhershme.

Megjithatë, tani mendoj se këta lojtarë po rriten dita-ditës dhe bashkë me rritjen e tyre, po vijnë edhe rezultatet.

Në një farë mënyre, koha po na jep të drejtë, që kemi besuar te ky kontigjent dhe mbi të gjitha mendoj se po i rikthehemi gradualisht traditës së mirë që ka pasur kjo skuadër, duke qenë e pathyeshme në fushën e saj, gjë që në fazën e dytë, e kemi bërë deri tani dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë deri në fund të kampionatit.

Kemi besimin e plotë, që nuk do ta diskutojmë mbijetesën në Kategorinë e Dytë, në qoftë se, do vazhdojmë me të njëjtin ritëm, që kemi që me fillimin e fazës së dytë. Patjetër që, është një eksperiencë edhe për mua, që mendoj që është shumë e vlefshme.

E kam thënë edhe më përpara, që është nder për mua, që të drejtoj një ekip, i cili ka një emër shumë të mirë të krijuar ndër vite, pavarësisht problematikave të viteve të fundit, por është një skuadër, që ka qenë gjithmonë protagoniste në Kategorinë e Parë, duke formuar lojtarë që kanë pasur karriera shumë të mira dhe duke formuar trajnerë, që sot janë në elitën e futbollit shqiptar”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Adës, Arbër Shytani.
Maringlen ZHIVANI