Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se nuk po kalon momentin më të mirë të sezonit, Vllaznia vijon të mbetet skuadra me mbrojtjen më solide në Superiore. Kuqeblutë kanë treguar gjatë gjithë kampionatit se organizimi në prapavijë ka qenë një nga armët më të forta të ekipit të drejtuar nga Edi Martini, duke ruajtur një vazhdimësi që pak skuadra kanë arritur ta kenë këtë edicion.
Kur ka mbetur edhe një raund nga përfundimi i sezonit të rregullt, shkodranët kanë pësuar vetëm 27 gola në 35 javë kampionat, një statistikë që i rendit në vendin e parë përsa i përket repartit defensiv. Pas tyre vijnë Egnatia dhe Dinamo, të cilat kanë pësuar nga 31 gola, çka tregon diferencën dhe stabilitetin që Vllaznia ka ruajtur në mbrojtje gjatë sezonit.
Edhe pse javët e fundit skuadra ka shfaqur luhatje në rezultate dhe jo gjithmonë ka qenë bindëse në lojë, prapavija ka vijuar të mbetet pika më e besueshme e ekipit. Mbrojtja kuqeblu ka ditur të përballojë presionin në ndeshje të rëndësishme, duke mbajtur ekipin konkurrues në garën për objektivat madhorë të sezonit.
Një rol të rëndësishëm në këtë ecuri kanë pasur jo vetëm mbrojtësit, por edhe organizimi i gjithë skuadrës në fazën difensive. Vllaznia është dalluar për disiplinën taktike në shumicën e ndeshjeve të këtij edicioni. Duke lënë pak hapësira ndaj rivalëve.
Tashmë, me “Final 4” në prag, tek shkodranët shpresojnë të rigjejnë edhe njëherë balancën ideale në prapavijë dhe të rikthehen te rezultatet pozitive. Duke u mbështetur te mbrojtja më e mirë e Superiores, Vllaznia synon të luajë deri në fund shanset për titullin kampion, një objektiv që në Shkodër vazhdon të mbetet ëndrra më e madhe e këtij sezoni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


