Gjatë muajit mars do të zhvillohet një tjetër grumbullim i futbollistëve të moshave të cilët janë seleksionuar në fundin e vitit të kaluar në vende të ndryshme të Europës.

Stafi i ekipeve kombëtare tashmë ka hartuar edhe listat e lojtarëve që do të jenë të pranishëm në këtë zbor të rradhës që do të zhvillohet në Shqipëri në datat 14-20 mars.

Njërin nga emrat e ftuar do të vijë nga Italia dhe bëhet fjalë për një futbollist 14 vjeçar me origjinë nga Shkodra. Këtë gjë e ka zbuluar vetë Akademia pjesë e të cilit ai është, pikërisht “Alma Juventus Fano”. Në faqen zyrtare të tij, ky klub i bën jehonë ftesës së futbollistit të tij të datëlindjes 2004.

Ai është një nga lojtarët e spikatur të kësaj moshe dhe padyshim që vetë klubi i ka uruar suksese atij në këtë stërvitje njëjavore që do të zhvillojë në Shqipëri.

Francesco Dibra kujtojmë që është djali i Ylber Dibrës, i cili është i njohur për karrierën e tij sportive në Shqipëri, ndërkohë që prej vitesh jeton në Itali ku ka ushtruar edhe detyrën e përgatitësit atletik në ekipe të ndryshme sportive dhe po ashtu edhe në atë të fizioterapisë sportive.
Gjergj KOLA