Dje dhe sot në Jesolo të Italisë janë zhvilluar Lojërat Mesdhetare për grupmoshën U-23.

Në të kanë marrë pjesë 400 sportistë nga Shqipëria, Algjeria, Andora, Bosnjë- Hercegovina, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Izraeli, Kosova, Libani, Maqedonia, Malta, Maroku, Mali i Zi, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Tunizia dhe Turqia.

Nga vendi i ynë pjesmarrës ka qenë një nga sportistët më të mirë të momentit, atleti i Vllaznisë Franko Burraj.

Ai ka konkurruar në disiplinat e 200 dhe 400 m. Në të parën, për shkak të një faulli është skualifikuar megjithatë vëmendja është përqendruar tek gara e 400 metrave ku shkodrani pretendonte thyerjen e rekordit kombëtar.

Dhe në fakt edhe sot ai ka qenë shumë pranë. Ka arritur kohën 47″08 (është renditur i teti) duke qenë vetëm 27 të qindtat larg rekordit që mbahet nga shkodrani tjetër, Ilir Xhani me 46″81.

Trajneri i tij Bruno Rrotani që e ka shoqëruar edhe në këtë aktivitet shprehet: “Frankoja bëri sërish një garë shumë të mirë por edhe këtë herë ishte i pafat për thyerjen e rekordit.

Me formën që ai gëzon, jam i bindur se kjo do të ndodhë shumë shpejt”.
© shkodrasport.com