Vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës për dënimin e Partizanit me zhvillimin e dy ndeshjeve pa spektatorë ka bërë lëmsh klubet që kanë interes për këtë çështje.

Por, nga ana tjetër, FSHF-ja ka “provokuar” indirekt Vllazninë, që luan dy ndeshje radhazi për katër ditë ndaj “demave”, fillimisht për kampionat më 11 mars në Shkodër dhe më pas më 15 mars në kryeqytet për çerekfinalen e Kupës. Por çfarë ka ndodhur?

.Në vendimin e zbardhur nga Disiplina, thuhej:

“FK Partizani, për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës si dhe dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 50, 63, 64/2, 65/3/a 65/3/c, dhe 65/ 3/f të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë si dhe gjobë në masën 200.000 lekë. Partizani urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit brenda 15 ditëve”. Ajo që bie në sy është fakti se Disiplina nuk ka specifikuar dënimin për tifozët, pra është në fuqi vetëm për ndeshjet brenda apo edhe ato jashtë. Mirëpo, dje klubi i Partizanit bëri këtë njoftim për ndeshjen që do të luajë në transfertë me Vllazninë në kampionat:

“Ky takim do të zhvillohet pa praninë e tifozërisë së kuqe, si pasojë e dënimit prej dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës”. Pra, pasi të kuqtë janë interesuar në FSHF për vendimin, ai është interpretuar në mënyrë të atillë që është në fuqi për tifozët edhe për ndeshjet në transfertë, në rastin konkret në Shkodër. Sigurisht, këtu kemi të bëjmë vetëm me tifozërinë e organizuar të Partizanit, pasi zor se mbështetësit e kuq mund të bllokohen nesër në stadiumin “Loro Boriçi” nëse nuk mbajnë simbolet e skuadrës së tyre.

Për të konfirmuar kaosin që ekziston pas vendimit të paspecifikuar të Disiplinës për Partizanin, mjaft të shikosh njoftimin që ka bërë në faqen zyrtare Vllaznia si klub pritës, sa u përket biletave për ndeshjen e nesërme. Klubi shkodran njofton se tifozët mik do të jenë në tribunën E të stadiumit “Loro Boriçi” dhe aty një biletë kushton 2 mijë lekë të vjetra. Një lëmsh i vërtetë…

KONVERTIMI – Fakti që në FSHF kanë konfirmuar se vendimi për dënimin e tifozëve të Partizanit dhe Tiranës pas incidenteve në derbi do të jetë në fuqi si për ndeshjet brenda, ashtu edhe ato jashtë, kjo favorizon të kuqtë në ndeshjen e kthimit të Kupës ndaj Vllaznisë.

Ky takim është parashikuar të luhet më 15 mars ora 16:00 në stadiumin e Partizanit dhe pas vendimit të Disiplinës mendohej se do të ishte pa praninë e tifozëve, por duke qenë se një ndeshje pezullim klubi i kuq e shlyen nesër në Shkodër, atëherë të dytën ka të drejtën për ta konvertuar me gjobë. “Panorama Sport” zbulon se sfida e kthimit Partizani-Vllaznia (1-3 e para) në Kupë do të luhet me tifozë, pasi të kuqtë do të paguajnë 5 milionë lekë të vjetër, duke konvertuar dënimin me gjobë.