Komiteti Ekzekutiv, organi kolegjial vendimmarrës në FSHF, ka zhvilluar sot mbledhjen përkatëse, ku ka diskutuar dhe ka vendosur për “maketin” e sezonit të ri futbollistik. Në tavolinë kanë qenë disa propozime të klubeve të Superiores, që kishin kërkuar shtimin e numrit të të huajve (në fushë) për çdo skuadër. Po ashtu, ekzekutivasit kanë vendosur startin e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë për sezonin futbollistik 2017-2018.

Më konkretisht, Kategoria e Parë starton me ndeshjet e javës së parë, të cilat do të luhen më 9 shtator. Diçka e ngjashme me vitin e kaluar, kur FSHF-ja e spostoi në fillim të shtatorit nisjen e kësaj gare kombëtare, ndryshe nga më parë, kur kampionati niste në fund të muajit gusht. PO në mbledhjen e sotme është fiksuar edhe numri i të huajve, që lejohen në përbërje të skuadrave të Superiores.Qëndron në fuqi numri 4, i lojtarëve të huaj në fushë, që mund të luajnë në një skuadër. Në rregulloren e aktivitetit është bërë një ndryshim sa i takon pezullimit me kartonë të verdhë. Duke nisur nga sezoni i ri, futbollistët do të pezullohen me një ndeshje pas 4 kartonëve të verdhë, jo 3 kartonëve të verdhë, siç ka qenë deri  tani. Po ashtu, në lidhje me futbollistët shqiptarë të Maqedonisë, Komiteti vendosi të futet në rregullore dhe të konsiderohen si lojtarë shqiptarë, njësoj si parashikon rregullorja aktuale e garave me futbollistët kosovarë.

© shkodrasport.com