Vonesat në punimet e stadiumit “Loro Boriçi” kanë ardhur ngaqë Bashkia Shkodër ende nuk ka firmosur kontratën me FSHF-në për çështjen e stadiumit dhe për këtë arsye, nuk na janë lëvruar akoma fondet nga UEFA”. Kjo është deklarata e bërë sot nga i ngarkuari i FSHF-së në ndjekjen e këtij projekti, Arben Dervishaj. Ai ka qenë në Shkodër pasditen e sotme edhe për të parë punimet që po bëhen por edhe për të biseduar me drejtues të Bashkisë Shkodër.

Dervishaj është takuar me kryetarin e Këshillit Bashkiak Shkodër, z. Xhemal Bushati me të cilin ka biseduar rreth kontratës dypalëshe ende të pafirmosur nga Këshilli që ai drejton. Pas bisedës me të, i ngarkuar i Federatës në ndjekjen e këtij investimi, ka dhënë edhe një prononcim për mediat kur ka thënë: “Është e vërtetë se ka një ngadalësim të punimeve në rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” e kjo ka ardhur ngaqë nuk janë lëvruar të gjitha fondet e një nga shkaktarët për këtë është edhe Bashkia Shkodër. UEFA si donatorja e këtyre fondeve, ka kërkuar një marrëveshje me shkrim në mes Federatës dhe Bashkisë Shkodër, marrëveshje kjo që edhe në këto momente që po flasim ende nuk është firmosur. Arsyeja është se Bashkia duhej të kishte vepruar më shpejt në formën e një emergjence ndoshta në mënyrë që të shpejtonim për sjelljen e fondeve nga UEFA e cila do ta mbulojë këtë shpenzim dhe ajo do këtë marrëveshje. Ne sot patëm një bisedë me kryetarin e Këshillit Bashkiak Shkodër, z. Bushati me të cilin ramë dakord që t’i përshpejtojmë procedurat në mënyrë që kjo marrëveshje të jetë e firmosur. Z. Bushati na siguroi se javën e ardhshme do të mblidhet Këshilli Bashkiak që do ta aprovojë atë. Sa i takon punimeve, ne besojmë se fundin e vitit do ta kapim. Sot kam urdhëruar firmën që po merret me punimet që të nis punën me fushën. Ajo duhet ta lirojë gjithë hapësirën e saj dhe të pistës sepse do nisë drenazhimi i fushës javën tjetër. Një proces që fillimisht menduam se nuk do ishte i nevojshëm por më pas, e pamë të domosdoshëm. Po ashtu, na kanë nxjerrë shumë punë dy tribunat ekzistuese që kanë qenë më shumë të amortizuara sesa mendonim dhe kësisoj duhet ndërhyrë jo pak edhe aty që edhe këto tribuna të jenë të sigurta. Ju keni parë vetëm punimet e jashtme por duhet të dini se janë bërë edhe shumë punë të tjera. Janë porositur paisjet e kondicionimit, ato elektrike, stolat, sistemet e hyrjes automatike, streha metatile e cila është porositur dhe besoj se brenda një muaji do të mbarojë. Pra ka shumë punime që nuk duken këtu por ato kanë avancuar në mënyrë që të kapim kohën e duhur.Jemi optimist se fundi i vitit do na gjejë me stadium. Do të ngelë ndonjë punim i vogël pa përfunduar por që nuk na prishë asnjë punë sepse do zgjidhet në vazhdim sepse nuk na pengojnë në fushën e lojës. Nuk mendoj se ka ndonjë problem politika në çështjen e stadiumit të Shkodrës siç mund të diskutohet. Ky është investimi më i madh që Qeveria shqiptare ka bërë për sportin. Ka miratuar 12-13 milionë euro ndërsa 4 milionë do japë Federata. Kështu që nuk e kuptoj se ku mund të jetë loja politike në këtë mes”.