Vllaznia do e mbyllë sezonin 2021-22 ditën e martë me finalen e kupës kundër Laçit. Një edicion të cilin shkodranët e filluan me pretendime të mëdha për të arritur titullin kampion, por që gjërat nuk shkuan sipas planit në kampionat. Kuqeblutë u renditën në vendin e 5-të ku për shkak golevarazhi e humbën vendin e 4-tët kundër Kukësit.

Por kjo sjell edhe njëherë kujtimet e sezonit të shkuar dhe duket se ky fund edicioni është një “deja vu”. Vllaznia do e humbiste titullin kundër Teutës në edicionin e shkuar vetëm për shkak të golavarazhit.

E njëjta gjë ndodhi edhe këtë sezon ku për shkak se Kukësi kishte një gol të shënuar më shumë kundër Vllaznisë në përballjet direkte mori vendin e 4-ët. Pozicion që mund ti dërgojë në Europë nëse Laçi fiton kupën.

Dhe si në sezonin e shkuar finalja luhet më datë 31 maj në “Air Albania” dhe Vllaznia do jetë sërish pjesë e saj. Përballë do ishte Skënderbeu që mposhtej 1-0 nga një gol i Da Silvas. E kësaj rradhe kundërshtari do jetë më i fortë dhe më ekspert i kupës siç është Laçi. Çdo gjë duket se i ngjason një ngjarjeje të përjetuar më përpara.

Dhe si në sezonin e shkuar, tifozët shkodranë shpresojnë që Vllaznia të fitojë sërish kupën. Ku të korigjojë ndoshta gabimet e sezonit në kampionat dhe të shpërblejë veten dhe tifozët me një trofe dhe kualifikim në Europë. Kualifikim që do thoshte edhe një përfitim ekonomik të majmë.

Endri ÇINARI