
Edhe pse nuk kanë forcën dhe kurajon të flasin hapur, futbollistët e Vllaznisë, nën zënë, e argumentojnë paraqitjen e dobët në ndeshjen e fundit të Kupës, ndaj Flamurtarit, ku edhe u eleminuan, me stërvitjen e zhvilluar në rërë, në bregdetin e Velipojës, vetëm dy ditë para kësaj sfide. Në fakt, të gjithë e kanë të freskët deklaratën e trajnerit të kuqebluve Rudi Vata, pas këtij takimi, që theksoi se faktori kryesor i eleminimit të Vllaznisë nga Kupa e Shqipërisë ishte lodhja e tepërt, që ai e argumentonte me zhvillimin e ndeshjeve të shumta, brenda një harku kohor prej 10 ditësh, ku çdo tre ditë kanë zhvilluar takime kupe e kampionati. Ndonëse edhe ky argument mund të ketë ndikimin e vet, në krahun tjetër pohimi i lojtarëve, se stërvitja në rërë, ditën e hënë, e ndërsa ditën e mërkurë do të luhej ndeshja më e rëndësishme e kuqebluve për këtë sezon, deri në ato momente, duket më bindës dhe më i arsyeshëm për atë paraqitje zhgënjyese ndaj vlonjatëve. Madje mësohet se kjo stërvitje në rërë, ka sjellë edhe bllokimin e lojtarëve në fushën e lojës, duke mos patur gjithë kohën e mjaftueshme për t’u çliruar siç duhet. Mjaft specialistë nuk kanë qenë shumë dakort me pohimin e Vatës se ekipi ka qenë i lodhur, duke kërkuar të ishin përdorur metoda të tjera që skuadra të mos ishte në këtë gjendje fizike, por tani, pohimi i vetë lojtarëve, edhe pse disi të ndrojtur, tregon shumë më shumë seç është thënë deri tani, për atë paraqitje zhgënjyese dhe aspak bindëse, ku tani edhe vetë futbollistët rrezikojnë që të penalizohen nga klubi, në aspektin financiar. “Stërvitja në rënë na ka penalizuar shumë ndaj Flamurtarit, majde mund të themi se ka qenë arsyeja kryesore, që ne nuk arritëm të shfaqim vlerat tona më të mira, duke u eleminuar nga Kupa e Shqipërisë, e kështu nga gjitha objektivat tona sezonale”, ka qenë ky pohimi i pjesës më të madhe dhe më kryesore të futbollistëve të Vllaznisë, ditën e djeshme, në lidhje me diskutimet e hapura për dështimin e kuqebluve në Kupë, duke preferuar që të mos bëhen publik emrat e tyre, deri në një moment të dytë. Tani pritet reagimi i stafit teknik për këtë çështje dhe i stafit drejtues të Vllaznisë.
Mejdan ZHIVANI