Transferimi në Angli duket se nuk ka qenë një zgjedhje e mirë për Moise Kin, i cili atje po përballet me një situatë shumë të vështirë, pasi po luan shumë pak në krahasim me sa pretendonte ai. Për sulmuesin e rritur te Juventusi kishte pritshmëri të madhe pas transferimit që bëri në verë për të gjetur më shumë hapësira.

Por sot, në ndeshjen e Everton në fushën e Mançester Junajtid, ai ka marrë goditjen e radhës. Trajneri Dankan Ferguson e la në stol futbollistin në fillimin e ndeshjes, duke e aktivizuar vetëm në minutën e 70 të takimit. Por në minutën e 88-të, ishte përsëri numri i Kin ai që u shfaq në tabelë, duke larguar sulmuesin nga fusha pas vetëm 18 minutash aktivizim.

Sigurisht lojtari dukej i pakënaqur me këtë zgjedhje të trajnerit, që konfirmoi besimin e pakët që ka aktualisht te futbollisti italian. Kin deri tani ka vetëm 11 ndeshje të luajtura, nga të cilat 2 si titullar, me një total prej 0 golash e 1 asisti.

“Thjesht më nevojitej të bëja një zëvendësim, nuk kam asgjë kundër tij”, u justifikua Ferguson në fund të sfidës. Por të gjithë duken të bindur se për Kin, minutat te Everton në vijim nuk pritet të shtohen. /vipsport/