Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur këtë fundjavë në basketbollin italian, në ndeshjen mes Xhivova Skafati dhe Leonis Roma, pasi ylli i kombëtares shqiptare të basketbollit, Franko Bushati, është bërë viktimë e sulmeve të shumta verbale kundër tij gjatë gjithë ndeshjes. Ngjarja ka bërë bujë në Itali, ku Bushati është një emër shumë i njohur pasi ka shëtitur në disa prej ekipeve më në zë në këtë vend.

Si rrjedhojë, komisionet disiplinore të Federatës Italiane, vendosën të mbyllnin pallatin e sportit të Skafatit, duke argumentuar se tifozeria vendase kishte bërë “fyerje kolektive të vazhueshme të karakterit racist ndaj lojtarit shqiptar Franko Bushati”.

Por klubi i Xhivova Skfati, nuk ka vonuar që të fajësojë pikërisht basketbollistin shqiptar për ngjarjen, duke kujtuar se ai kishte qenë pjesë e kësaj skuadre në sezonin 2012-2013.

“Kundër ish-lojtarëve ka gjithmonë agresivitet që mund të tejkalohet ndonjëherë. Vetë atleti është përgjigjur si nga fusha, ashtu edhe nga pankina, duke bërë me dorë gjestin e 3-2, pikët me të cilat në sezonin 2015/2016, kur ishte pjesë e Leonesa Breshia, fitoi në gjysmëfinalen e play-off.

Gjyqtarët e ndëshkuan me faull teknik për këtë gjest”, shkruhej në reagimin e klubit që e cilësoi episodin si një ngjarje normale në pallatin e sporti dhe jo si një gjest racizmi. /vipsport/