Goli i Aralicës në minutën e 93-të të ndeshjes Partizani-Vllaznia, i anuluar më pas me ndërhyrjen e VAR-it, shkaktoi polemika pa fund dhe u bë sërish temë diskutimi në emisionin “Gol pas Goli” në SuperSport.

Ish futbollistët Luan Pinari e Ervin Bulku, por edhe kryeredaktori i Panorama Sport, Jetmir Halilaj, u shfaqën sërish në një mendje, duke theksuar se arbitrat Andi Koçi në VAR dhe kryesori Olsid Ferataj kanë gabuar me vendimin për anulimin e golit.

“Gabimi ishte flagrant dhe unë dyshoj që vendimi është marrë vetëm nga dy arbitrat, Andi Koçi në VAR dhe kryesori Ferataj. Më duket e vështirë që këta dy arbitra të vënë në lojë integritetin e tyre dhe të anulojnë një gol të tillë. Dyshoj që anulimi nuk është bërë në kokën e tyre”, u shpreh Halilaj.

Nga ana tjetër, Bulku e cilësoi një vendim të gabuar të dyshes së arbitrave, por theksoi se u takon atyre të dyve të japin një shpjegim mbi arsyet që i çuan drejt anulimit të golit.