Vllaznia në volejboll për meshkuj ka bërë detyrën, duke fituar ndeshjen e rradhës për kampionat, teksa ka mundur Skënderbeun e Korçës me rezultatin 3-1. Kështu ka ndodhur në takimin e fundit të fazës së dytë, të luajtur paraditën e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Në fakt, djemtë kuqeblu e kanë nisur mirë këtë përballje, sepse kanë fituar dy setet e para, përkatësisht me shifrat 25-20 dhe 25-18. Këto dy sete të humbura kanë shkundur Skënderbeun dhe reagimi i tyre ka ardhur menjëherë. Në setin e tretë, luhet me shumë rivalitet nga të dy ekipet, teksa djemtë kuqeblu e kanë humbur këtë set me shifrat 26-28.
Në setin e katërt, është Vllaznia që luan më mirë dhe e fiton atë 25-20 dhe kështu krejt takimin me rezultatin 3-1. Në fakt, kjo ka qenë një fitore e merituar, madje nga sa është parë trajneri Kalaja ka qenë i kënaqur me ekipin e tij. Tashmë dihet se, Vllaznia është ndërtuar për të qenë një ekip pretendent dhe kurrsesi detyra e saj nuk është të diskutojë ndeshjet në shtëpi.
Për të siguruar fillimisht kalimin në gjysmëfinalen e kampionatit, përcaktuese do të jetë ndeshja çerekfinale e play-off që do të zhvillohet javën e ardhshme dhe padyshim që Vllaznisë i duhet fitorja, me të cilën sigurohet kalimi në gjysmëfinalen e play-off. Në rast të kundërt, do të çohet dëm puna e bërë gjatë gjithë sezonit e poashtu edhe investimet e bëra.
Maringlen ZHIVANI