Njëri prej trajnerëve të ekipit të peshëngritjes së Vllaznisë, pikërisht Genc Barkiçi duke folur në lidhje me kampionatin e fundit kombëtar, e ka vlerësuar si shumë pozitive paraqitjen e peshëngritësve shkodranë që në renditjen ekipore kanë zënë vendin e dytë. “Ka patur një rivalitet të madh në mes ekipit tonë dhe Elbasanit por fakti që ekipi kundërshtar ishte i plotë, me 8 boksierë, e favorizonte atë në luftën për titullin kampion. Elbasani konkurronte me 8 boksierë ndërsa ne me 7. Pritëm që të dështonte të paktën një sportist i ekipit tonë kundërshtar por nuk ndodhi kështu dhe ne në fund u renditëm të dytët.

Sigurisht që në mosshpalljen kampion të Vllaznisë ndikoi mungesa e Erkand Qerimajt që për shkak të pezullimit të tij nuk mund të merrte dot pjesë në garë”-ka thënë Barkiçi për gazetën online www.shkodrasport.com. I pyetur në lidhje me atë se kush nga sportistët e Vllaznisë ka bërë paraqitjen më të mirë në këtë kampionat, ai do të thoshte: “Vllaznia arriti të nxjerrë dy kampionë si individ. Nëse për Isa Balën nuk kishte shumë konkurrencë në peshën e tij, për t’u veçuar është gara e Marjan Bregut që ndonëse me shumë konkurrentë, arriti të shpallej kampion. Përveç këtyre dy kampionëve, figurë të mirë kanë bërë edhe Gridi Jahja dhe Emanuel Lushi që në këtë kampionat kanë përmirësuar dukshëm rezultatet e tyre ndërsa sportistët e tjerë, kanë arritur atë se çfarë kanë bërë zakonisht në stërvitje”. Peshëngritja shkodrane kësisoj vazhdon të jetë një nga sportet e elitës në klubin Vllaznisë dhe Genc Barkiçi është shumë i bindur se duke përmirësuar pak edhe kushtet e stërvitjes, rezultatet mund të jenë edhe më të larta.
Gjergj KOLA