Sot në Shkodër ka festë. Vllaznia e të gjithë shkodranëve ka ditëlindjen, feston 102 vjetorin e krijimit të saj. 16 shkurti i vitit të largët 1919 duket më i afërt se kurrë. Kjo sepse pikërisht në këto momente, Vllaznia e futbollit ka zgjuar të gjithë shkodranët, të cilët po tregojnë veten në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, që ma në fund i ka ba të tanë me u ndi mirë. Ajo kryeson me meritë renditjen e kampionatit dhe i ka tana shanset me u shpall kampion, ndonëse rruga deri në fund asht e gjatë.

Megjithatë, kjo festa e sotme e Vllaznisë duhet të shërbejë si bashkim për ta tanë, për t’i qëndruar afër kësaj skuadre, këtij simboli të Shkodrës.

Ky emër simbolizon shumëçka për këtë qytet. Asht i vetmi emër që bashkon tanë njerëzit e të gjithë besimeve, të të gjithë partive e ndasive, asht i vetmi emër që ban krenar çdo shkodran.

U pat kriju si bashkim i dy shoqnive të besimeve të kundërta fetare këtu e 102 vjet më parë, si për të thanë se njerëzit e këtij qyteti nuk duhet të jenë të ndarë dhe prandaj të mbledhun nën emnin Vllazni, kanë ba shumë gjana të mirë sëbashku.

Ky emër ka nxjerrë në vite shumë kampiona të mëdhenj, shumë rekordmena e sportistë të kalibrit të naltë. Nga rradhët e Vllaznisë kanë dalë sportistë që më pas janë shpallë edhe kampiona bote e Europe. Si rrallëkush ekip tjetër!

Sot e ka rradhën për të gëzu! Me futbollin asht në vend të parë, me basketbollin po ashtu pritet me pasë pretendime dhe e njajta gja edhe me volejbollin.

Në atletikë Vllaznia asht kampione e padiskutueshme, ashtu siç asht edhe në boks. Në çiklizëm asht rikthy tradita e suksesshme dhe jena në naltësinë e duhun, e po ashtu edhe në gjimnastikë e xhudo jena kampionë. Në shah ky ekip ka nxjerrë një kampion të madh e sukseset nuk mungojnë as në sportet e tjera.Pa harru kurrsesi sukseset e Vllaznisë së femnave që na ka ba me u ndi krenar prej vitesh.

Vllaznia asht nji emen i nderum dhe i respektum në tanë Shqipninë e kët gja e ka arrit me lojna të bukura e me gjana që pakkush tjetër mundet me i ba.

Vllaznia në fakt asht lanë mbas dore shpeshherë, është nëpërkambë e dënu sa herë që i asht dhanë mundësia shtetit dhe strukturave të tjera të tij para viteve ’90.

Vllaznia asht ken burim për ekipet e kryeqytetit si Partizani e Dinamo që i kanë marrë sportistat e saj ma të mirë, por kurrë nuk arritën me e shterr sepse nga rradhët e saj buronin të tjerë talenta.

Shkodra dhe shkodranët janë shumë të lidhun me këtë emër dhe nuk besojmë se ka familje që nuk ka patur një pjestar të saj të lidhur me Vllazninë. Dhe për rrjedhojë, nuk ka sesi çdo familje të mos ketë jetu me gëzimet e mërzitë që të jep sporti.

Dhe të tanë sot munden me u gëzu në mënyrën e tyne. Vllaznia ka ditëlindjen. Në raste të tilla shpesh thuhet: Edhe 100! Por në fakt, për Vllazninë kjo shprehje nuk vlen. E ka ba një shekull dhe me siguri që do të kalojë edhe shumë të tjerë dhe do të jetë gjithnjë e ma e fortë sepse është dashnia e tanë shkodranëve./SHKODRA-SPORT.COM/