Shkruar nga Endri ÇINARi
Mbrojtësi shkodran Geralb Smajli vijon të konfirmojë formën e tij shumë të mirë me skuadrën e Ballkanit në futbollin kosovar. 23-vjeçari ishte një nga protagonistët absolutë në përballjen çerekfinale të Kupës së Kosovës ndaj Gjilanit, ku arriti të shënojë një gol të rëndësishëm për ekipin nga Suhareka. Paraqitja e tij solide në prapavijë dhe kontributi në fazën sulmuese u shndërruan në faktor kyç në suksesin 2-1 të Ballkanit, që siguroi kështu një vend në gjysmëfinalen e kompeticionit.
Goli i shënuar nga Smajli erdhi në një moment delikat të takimit, duke i dhënë qetësi dhe avantazh të dyfishtë skuadrës së tij në një sfidë të luftuar deri në minutat e fundit. Për një mbrojtës, kontributi në tabelën e shënuesve është gjithmonë një bonus i çmuar, por në këtë rast ai pati edhe peshë vendimtare për fatin e ndeshjes. Performanca e tij tregoi edhe një herë pjekurinë që ka fituar në lojën e tij, pavarësisht moshës relativisht të re.
Ky është sezoni i dytë i Smajlit me Ballkanin dhe gradualisht ai është shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës portokalli. Besimi i stafit teknik ndaj mbrojtësit shkodran është rritur ndjeshëm, ndërsa ai po e shpërblen këtë besim me paraqitje të qëndrueshme dhe me një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në organizimin e repartit defensiv.
Performancat pozitive të Smajlit nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga opinioni sportiv, duke e vendosur atë mes lojtarëve më të spikatur të Ballkanit në këtë sezon. Me vazhdimësinë që po tregon dhe me ndikimin e tij në rezultate, mbrojtësi shkodran po konsolidohet si një element i rëndësishëm për skuadrën nga Suhareka, ndërsa synimi i radhës mbetet vazhdimi i këtij momenti pozitiv edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


