Një “gjetje” shumë e bukur ajo e trajnerit Artan Bushati për të justifikuar bojkotimin e stërvitjes nga ana e 15 futbollistëve pasditen e sotme. Ai ka deklaruar për mediat mbrëmjen e sotme se nuk ka patur bojkot por e ka lënë vetë pushim skuadrën për të studiuar përmes televizionit kundërshtarin e rradhës, Bylisin që ka luajtur ndaj Laçit për kupë. “Gjetja” është shumë e bukur dhe gjithsesi mbet një deklaratë mediatike megjithatë mbrëmjen e sotme, në ambjentet e Grand Hotel “Europa” ka patur një mbledhje e 15 futbollistëve që nuk kanë qenë në stërvitje pasditen e sotme me presidentin Çela. Ajo çfarë u tha ishte se një takim i tillë është bërë për të festuar zyrtarizimin e presidentit të Vllaznisë si kandidat për deputet.

Mbase mund të ketë edhe ndryshe por ajo që na bëri përshtypje ishte deklarata shumë entuziaste e kapitenit Belisha që foli para mediave. “Erdhëm për t’i uruar suksese në fushatë presidentit tonë. Ne nuk kemi bojkotuar stërvitjen dhe as nuk kemi probleme financiare”- ka thënë ai. Një deklaratë kuptimplote e njërit prej pjestarëve të atyre që bojkotuan stërvitjen e sotme. Në vetëm pak orë, këta futbollistë janë tjetërsuar. Gjë e mirë kjo natyrisht. Ia vlen në fakt të merremi me këtë çështje. “Klubi Vllaznia ka qenë shumë korrekt dhe është korrekt me pagesat”- është thënë ndër të tjera nga futbollistët. Edhe ky është një lajm i mirë për mediat në orët e mbrëmjes. Në fakt gazetarët nuk duhet të shqetësohen shumë për rrogat e këtyre futbollistëve që nuk dinë të mbrojnë as veten. Thjesht gazetarët u shqetësuan për mungesën e tyre në stërvitje. Por duket se për ta mbyllur këtë histori ka menduar trajneri Artan Bushati. Si futbollist nuk ka patur shumë sukses sepse karriera e tij për shkak dëmtimi është mbyllur herët, por tashmë si trajner sa herë që duhet shfaqet si “driblues” i shkëlqyer. “Skuadra është stërvitur paradite dhe pasdite e kam lënë pushim edhe për të studiuar kundërshtarin e rradhës në televizion”-ka thënë ai. Shumë e hollë si thënie. E rëndësishme është që Vllaznia është “top’ Sonte e kemi dëgjuar shpeshherë këtë fjalë. Na e ka konfirmuar edhe presidenti Çela që ka thënë se futbollistët i kanë marrë të gjitha paratë e tyre. Me ngjarjen e sotme, ne gazetarët ndoshta duhet të betohemi njëherë e mirë. Sa herë që flitet për rrogat e futbollistëve, nuk duhet të merremi fare me to. Edhe nëse kanë një vit pa u paguar. Sepse, xhepi i tyre është gjithnjë plot.
Gjergj KOLA

Nga takimi i mbremjes se sotme te presidentit Çela me 15 futbollistet