Shqiptarët ashtu si gjithë njerëzit në mbarë Botën janë duke kaluar ditë të vështira së fundmi, shkak i pandemisë që na ka pushtuar. Por një situatë e tillë ka vënë në vështirësi të mëdha edhe sportistët të cilët duhet të ruajnë formën, por duke qëndruar në karantinë e kanë të vështirë.

Kuptohet që të stërvitesh në kushte shtëpie është shumë e vështirë, por nëse ke vullnet edhe mund t’ia dalësh. Për t’u ardhur në ndihmë atyre, një mësuese e edukimit fizik në Shkodër ka menduar një zgjidhje shumë interesante.

Bëhet fjalë për Ankela Cara, një mësuese e edukimit fizik në shkollën “Ali Laçej”, e cila është njëkohësisht edhe trajnere personale në një nga palestrat e qytetit të Shkodrës, por nga ana tjetër, merret edhe vetë me sport dhe madje është kampione e Shqipërisë në sportin e “poëerlifting” të forcës në kampionatin që është zhvilluar në Tiranë.

Cara ka menduar që për t’u ardhur në ndihmë sportistëve dhe jo vetëm atyre, por të gjithë njerëzve që duan të ruajnë shëndetin në këto ditë që janë duke qëndruar në shtëpi, të publikoj çdo ditë në faqen e saj në rrjetet sociale video me ushtrime të ndryshme të cilat mund të bëhen nga çdokush dhe nëse i bëjnë siç duhet ato, mund të ruajnë fare mirë formën fizike.

Inisiativa e kësaj mësueseje të edukimit fizik është vërtetë për t’u përshëndetur dhe nga ana tjetër, një mundësi e mirë për çdokënd për ta ndjekur dhe për të bërë ato çfarë Ankela rekomandon dhe me siguri që kur të dalim prej karantinës, të gjithë ne kemi për t’u ndjerë më mirë nga ana fizike.
© shkodrasport.com