Pas tri javësh kampionat, as më skeptikët nuk e mendonin që Kukësi do të ishte i fundit në klasifikim dhe me vetëm një pikë të grumbulluar.Kjo, duke parë investimet që janë bërë dhe synimet që kanë verilindorët, ku minimumi duan patjetër pjesëmarrjen në Europë, aty ku mungojnë prej dy sezonesh radhazi. Më të irrituar nga këto javë të para janë vetë drejtuesit, me presidentin e nderit, njëkohësisht kryebashkiak i Kukësit, Safet Gjici, i cili ka vënë ultimatum për të bërë menjëherë kthesën këtë fundjavë ndaj Teutës.
Duke parë paraqitjen e skuadrës, është gjetur fajtori i parë, duke pezulluar zv.trajnerin Pero Pejiç, i cili afroi disa lojtarë që nuk po bindin. Pejiç nuk ka qenë prezent në seancën e djeshme stërvitore.
ULTIMATUMI – Edhe pse janë “konsumuar” tri javët e para të kampionatit dhe në lojë janë shumë pikë, ku ka kohë mjaftueshëm për të rikuperuar, në Kukës nuk kanë durim për të pritur kthesën.Mësohet se Gjici kërkon nga trajneri dhe lojtarët kthesën e menjëhershme në rezultate dhe kërkohet fitorja me patjetër me Teutën.
Nga ana tjetër, trajneri Gega e ka përmendur shpesh faktin që ekipit i duhet kohë dhe durim, sepse rezultatet do të vijnë, pasi lojtarët ende nuk janë në kondicionin e tyre maksimal dhe për më tepër janë afruar rishtazi në merkato. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se sa të gatshëm do të jenë drejtuesit t’i japin kohën e nevojshme që kërkohet për të kolauduar skuadrën.
HISTORIA – Duket se historia përsëritet sërish në Kukës, ku dy sezone më parë Gega ishte në krye të pankinës verilindore, teksa pas tri javësh koleksiononte vetëm një pikë dhe ishte në vendin e fundit.
Pas tri sfidave të para nisi edhe ngritja në rezultate dhe skuadra u fut në “shina”, pavarësisht se ecuria në vazhdim nuk ishte e pritshmja dhe ekipi mbeti jashtë Europës. Shpresohet që autokritika të përsëritet edhe këtë sezon dhe kur të vijë kthesa, më pas skuadra të ngjitet në klasifikim.
ISIÇ – Një nga lojtarët që nuk ka bërë ende debutimin me skuadrën e Kukësit këtë sezon, për më tepër nuk është grumbulluar fare, është boshnjaku Tarik Isiç.
Dyshohet se futbollisti ka probleme me formën dhe vuan nga një dëmtim i mbartur dhe ka qenë larg pritshmërive të klubit.Gjatë ndeshjeve miqësore në fazën përgatitore, boshnjaku luajti me skuadrën, por që ende mesa duket nuk ka bindur për të qenë gati dhe të japë kontributin e tij në ndeshjet zyrtare.Gjithsesi, mbrojtësi boshnjak vijon përgatitjet me ekipin.