Tuesday, January 20, 2026
FAQJA E PARE OPINIONEGjobat e Vllaznisë dhe 30% i Skënderbeut

Gjobat e Vllaznisë dhe 30% i Skënderbeut

Opinion nga YLLI AGA

Drejtuesit e Vllaznisë vendosën të shënonin “autogolin” më të madh të këtij sezoni, duke prerë fletë-gjoba të padëgjuara më parë në futbollin tonë. Për shkak të rezultateve jopozitive në pjesën e parë të sezonit, që i fiksuan kuqeblutë në vendin e tetë në tabelën e renditjes dhe për më tepër i larguan nga konkurrimi në Kupën e Shqipërisë, prej disa ditësh klubi vijon të marrë në analizë shkaqet e kësaj paraqitjeje.

Dhënia e besimit për trajnerin Duro u duk se do të hapte një kapitull të ri për skuadrën dhe arritjen e objektivave, por mbledhja e radhës kulmoi me vendimin për të gjobitur me gati gjysmën e kontratës mbrojtësin Osmani dhe sulmuesin Hysa, diçka më pak për mbrojtësin Begaj dhe mesfushorin Nallbani, por edhe penalizim me rrogën e një muaji për të gjithë skuadrën. Nuk dihen arsyet e një ndëshkimi të tillë kolektiv, por vështirë që kjo masë të ndikojë për të përmirësuar situatën në fazën e dytë, së paku me këtë grup lojtarësh dhe me këtë dhunë psikologjike, por edhe për imazhin e klubit në prag të merkatos së janarit, pasi cilët do të ishin ata futbollistë, kuptohet, cilësorë e të mirëpaguar, që do të pranonin të nënshkruanin me një administratë si e Vllaznisë, që të ndëshkon bazuar mes rreshtave të një kontrate. Gjobat janë një element normal në një marrëdhënie pune, por duken të palogjikshme kur nuk janë të parashikuara në mënyrë të qartë dhe mbi të gjitha mbjellin pakënaqësi tek punëmarrësit.
Skënderbeu, ana tjetër e medaljes
Korçarët mund të konsiderohen një skuadër lider për sa i takon marrëdhënieve të ndërtuara me futbollistët. Jo rastësisht kanë arritur ato rezultate në pjesën e parë të sezonit dhe kanë mundur t’u marrin maksimumin disa futbollistëve, që zhgënjyen diku tjetër. Prej gati 3 vitesh kanë munguar lajmet për mosmarrjen e pagesave, apo qoftë edhe vonesë të tyre. Korrektesa e dëshmuar nga drejtuesit ka krijuar qetësinë maksimale në dhomat e zhveshjes, teksa futbollistët janë të fokusuar vetëm tek futbolli i luajtur. Ndërkohë, kësaj marrëdhënieje të konsoliduar iu shtua si “bast” mbajtja si garanci e shumës 30% të secilës kontratë, për kushtin e fitimit të titullit kampion. E vërteta është se një masë e tillë i stepi një pjesë futbollistësh (apo me ndonjë mund edhe të mos jetë zbatuar), por pranimi për të firmosur kontratat e reja rezultoi një burim i madh energjie pozitive, përqendrimi maksimal dhe dëshire për të fituar në çdo ndeshje. Vetë kapiteni Blendi Shkëmbi më rrëfente se paraqitja e fazës së parë ishte e ndikuar edhe nga kjo marrëdhënie e re, e cila i motivonte futbollistët për të fituar, që t’i afroheshin sa më shumë objektivit për fitimin e titullit kampion, si dhe gëzimit për të pronësuar pjesën peng të kontratës.
Në mungesë të një bilanci financiar
Mbetet tema më e diskutuar sot në të gjitha nivelet. UEFA po insiston, duke e vendosur madje si kusht, për pjesëmarrjen në aktivitetet e saj për klube. Por në ligat kryesore është ende një problem i pazgjidhur. Me përjashtim vetëm të Gjermanisë, në kampionatin e së cilës një bilanc financiar pozitiv është një kusht i panegociueshëm (një masë që ka krijuar stabilitet). Kampionati ynë është akoma larg një diskutimi të tillë, por veprimi i drejtuesve të Skënderbeut për kushtin e 30% të kontratës ngjan si një “dallëndyshe” e parë, për të stabilizuar disi “abuzimin” me kontratat e bazuara vetëm tek kërkesë-oferta dhe orientimin te thithja e sa më shumë të ardhurave për arkën e klubeve, që duhet të vijnë nga shpërblimi për fitimin e trofeve, pjesëmarrja në kupat e Europës, e drejta TV, sponsorët apo biletat.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments