Emanuela Rusta ka arritur të thyejë shumë tabu, duke u bërë gjyqtarja e parë shqiptare që ka arbitruar në Superiore dhe e para që ka marrë stemën e FIFA-s. Elbasanasja është bërë menjëherë protagoniste, duke i dhënë më shumë bukuri dhe larmi futbollit shqiptar të një mijë e një halleve.

Por, ashtu si kolegët e saj, edhe jo nuk mund t’i shpëtonte polemikave dhe trysnisë që të ofron realiteti i futbollit në vendin tonë. 

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Emanuela rrëfen karrierën e saj në botën e arbitrimit. Ajo komenton gjithashtu pretendimet e trajnerit të Vllaznisë, Jonuz, si dhe tregon marrëdhëniet me lojtarët, trajnerët e tifozët.

Si është të arbitrosh në Shqipëri? 

Arbitrimi në vendin tonë është sa i bukur, njëkohësisht edhe aq i vështirë. Duhet ta bësh me shumë seriozitet këtë punë dhe duhet të jesh maksimalisht korrekte. Mbi të gjitha, të respektosh rregulloren e lojës e të japësh më të mirën në fushë.

Trajneri i Vllaznisë, Jonuz, vazhdon të pretendojë se i keni mohuar dy 11- metërsha në takimin ndaj Flamurtarit. Si do t’i komentonit pretendimet e tij?

Tani nuk e kuptoj se nga dolën këto dy momente, sepse ka qenë vetëm një rast ku diskutohet për një prekje të topit me dorë, që ishte natyrale. Por unë nuk preferoj të flas për sa i përket një ndeshjeje të caktuar. Është diçka e kotë, pasi secili ka mendimin e tij që mund të jetë i ndryshëm.

Unë që jam në fushë kam pamje më të mirë, pasi jam edhe më afër, ndërsa një trajner është shumë larg nga pozicioni në të cilin ndodhem unë dhe s’mund të shikojë mes një grumbulli lojtarësh, se çfarë po ndodh. Megjithatë, normalisht çdo trajner në këto raste pretendon për penallti.

A është më e vështirë për një femër të arbitrojë një ndeshje meshkujsh, apo anasjelltas?

Mund të them që të dyja rastet kanë vështirësitë e veta. Duke qenë se tani edhe futbolli te femrat është zhvilluar goxha, ku po e kuptojnë dhe po e luajnë shumë mirë, të sjell vështirësi. Por edhe te meshkujt nuk është e lehtë.