Vllaznia e këtij sezoni ka ditur të krijojë një ekip të qëndrueshëm, që gjatë 19 javëve të Kategorisë Superiore ia ka dalë të sigurojë 27 pikë në tabelën e klasifikimit. Trajneri Mirsad Jonuz ka gjetur elementë cilësorë, për të rikthyer edhe njëherë buzëqeshjen në qytetin e futbollit.

Së fundmi, shkodranët kanë siguruar tre firma të rëndësishme në sulm. Pas Hristov e Sidorencos, dje u zyrtarizua edhe sulmuesi Silvio Junior, që rikthehet kështu në Shkodër.

Lojtari brazilian ka qenë edhe sezonin e shkuar pjesë e Vllaznisë, duke shënuar 12 gola në Kategorinë e Parë. Shërbimet e 25 vjeçarit kanë qenë të rëndësishme për rikthimin në elitë, ndaj drejtuesit kanë vendosur t’i besojnë sërish një fanellë edhe pse gjatë gjashtë muajve në Superligën sllovake me Zlate Moravce është aktivizuar vetëm 255 minuta duke shënuar një gol.

2 mijë euro rrogë në muaj te Vllaznia për 1 gol gjatë muajve të fundit, por për drejtuesit në Shkodër nuk duket problem. Gjatë këtij afati kalimtar, Vllaznia ka afruar tre sulmues të huaj, duke “refuzuar” kështu talentet e ofensivës që në Shkodër nuk mungojnë kurrë. Silvio Zogaj do jetë i konkurruar nga një tjetër Silvio, që rikthehet në Shkodër për ta nisur aty ku e la./newsport/