Kukësi është padyshim “rekordmeni” i merkatos së verës, me plot 22 afrime.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se në minutat e fundit, atëherë kur federimi edhe mund të digjej, klubi verilindor ka arritur të marrë një sulmues brazilian.

Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Gabriel Barbosa Avelino, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e klubit grek, Levadhiakos, ku shënoi katër gola në 12 ndeshje të luajtura në periudhën shkurt-maj 2023.

Emri i tij është i njëjtë me “Gabigolin” e famshëm brazilian që bleu Interi, por kjo është thjesht rastësi, sepse nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Sulmuesi 1.95 metra i gjatë do të vijë te Kukësi në formë huazimi për një sezon pas marrëveshjes me grekët.

Kontrata e tij me Levadhiakosin përfundon pas dy vitesh.

Gabriel Barbosa është prodhim i klubit të madh brazilian, Palmerias dhe pesë vite më parë kartoni i tij u ble nga SPAL në Itali. Sulmuesi ka luajtur për një periudhë të shkurtër edhe në Korenë e Jugut me FC Seul.