Sulmuesit në kampionatin shqiptar kanë vite që janë me pikatore. Njerëzit prej të cilëve pritet të dërgohet topi në rrjetë thuajse mungojnë në çdo skuadër. Numrat 9-të tipik janë një “specie” në zhdukje dhe këtë po e vuan futbolli mbarë botëror. Por në vendin tonë rolin e shënuesve më të mirë prej vitesh e kanë marrë të huajt.

Edhe në këtë sezon, Këpucën e Artë e fitoi sulmuesi i Laçit, Saliou Guindo. Me 19 golat e tij, futbollisti nga Mali ishte më i miri në edicionin sapo u mbyll në Superligë. Flamurin lart të Shqipërisë e mban Dejvi Bregu, që në sezonin 2020-21, realizoi 16 gola duke fituar kështu çmimin individual. Por duhet theksuar se vlonjati nuk është një sulmues tipik, por një futbollist që preferon të luajë nga krahët.

Por të shikojmë sezonet e viteve të fundit do shohim një dominim nga futbollistët e huaj. Kështu sezoni 2019-20 do shihet si shënuesin më të mirë, Kyrian Nwabueze me 23 gola me fanellën e Laçit. Gjithashtu edhe edicioni 2018-19 do shihte si më të mirin, Reginaldon e Kukësit me 13 gola në llogarinë e tij personale. Edicioni 2017-18 do nxirrte si shënuesin më të mirë në kampionat me 21 gola, Ali Sowe. Sulmuesi nga Gambia që aktivizohej me Skënderbeun.

Pero Pejic një emër që ka bërë histori në kampionatin shqiptar, ishte golashënuesi më imirë në edicionin 2016-17. Kroati realizonte 28 gola me Kukësin në atë periudhë. Duhet të shkojmë në sezonin 2015-16 që të shohim një sulmues shqiptar që merr Këpucën e Artë.

Ai është Hamdi Salihi që me 27 golat e tij, linte në vendin e dytë Xhevahir Sukajn me 21 gola. Sulmuesit po mungojnë prej vitesh në Superligë, e ata që janë ndër më cilësorët largohen menjëherë jashtë vendit duke lënë fatet e golit në këmbët e të huajve.
Endri ÇINARI