Një gol i shënuar nga mbrojtësi Jozefin Rrasa që në minutën e 20-të, ka mjaftuar për t’i dhënë fitoren ekipit
“Vllaznia B” në transfertë me Internacional. Djemtë kuqeblutë të drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani kanë marrë një
fitore me shumë vlerë 1-0 ndaj këtij kundërshtari.

Ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në formacion për arsye dëmtimesh, kjo skuadër ka arritur të plotësohet me
lojtarët e duhur. Trajneri Hasani ka marrë tre lojtarë nga ekipi U19 dhe pikërisht Dulajn, Ramën dhe Elbasanin, por
edhe dy futbolistë nga ekipi U18, Shabin dhe Jahjen.

Paraqitja e tyre ka qenë e mirë dhe në veçanti ka spikatur Dulaj i cili ka qenë ndër më të mirët në fushë. Por jo
vetëm ai. Padiskutim që një kontribut të madh në këtë fitore ka autor i golit të vetëm të ndeshjes, Rrasa i cili tregoi vlerat e tij në këtë përballje dhe jo vetëm në lojën në mbrojtje, por këtë herë edhe si shënues.

Vllaznia B me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 15 pikëve dhe mban vendin e nëntë në renditje duke qenë një pikë më shumë sesa Ada e Velipojës, skuadër me të cilën do të ndeshet javën e ardhshme.
www.shkodrasport.com