Ka nisur për herë të parë grumbullimi i një seleksionimi me futbollistët e moshës U-13, të cilët janë përzgjedhur si më të mirët nga të gjitha zonat rajonale të Shqipërisë. Kështu, nën drejtimin e trajnerit Eriol Merxha, kjo skuadër ka zhvilluar një grumbullim dy-ditor, teksa stërvitjen janë bërë në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Trajneri Merxha ka pasur nën urdhrat e tij 20-futbollistë, teksa tre prej tyre ishin përzgjedhur edhe nga përfaqësuesja rajonale e Shkodrës. Fjala është për portierin Besardo Ndoj, mesfushorin Siar Hoxhaj dhe sulmuesin Franko Kulla.

Në fakt, ai që ka spikatur në ndeshjen e zhvilluar të këtij seleksionimi, ka qenë 11-vjeçari Besardo Ndoj, i cili është padyshim një ndër portierët më me të ardhme të Akademisë Vllaznia. Në përballjen që u zhvillua, Ndoj luajti një rol mjaft të rëndësishëm me pritjet vendimtare të tij, ku mbajti edhe portën e paprekur, duke mos pësuar asnjë gol.

Në këtë ndeshje, ai u mundua të japë më të mirën e mundshme me pritjet nga ana e tij dhe kjo e ka bërë atë të evidentohet nga të tjerët, teksa në duelin e zhvilluar, portieri i ekipit Vllaznia U-14, ia doli ta mbajë portën e paprekur.

Po ashtu, një fakt tepër interesant është që Besardo Ndoj është “gardiani” i tretë që nxjerr kjo familje, pasi si portierë luajnë edhe babai i tij, Besnik Ndoj tek Ada e Velipojës dhe vëllai i tij, Alevio Ndoj tek Vllaznia U-15.

Ndërkohë, nga ana tjetër duhen theksuar performancat pozitive edhe të Siar Hoxhajt dhe Franko Kullës, pasi realisht edhe ata spikatën me paraqitjet e tyre dhe në fakt bëhet fjalë për një treshe të talentuar futbollistësh, të cilët përfaqësuan Shkodrën më së miri në këtë seleksionim me futbollistët e moshës U-13.
Maringlen ZHIVANI