Kombëtarja U17 e Shqipërisë prej dy ditësh është grumbulluar në Durrës për një turne në të cilin do të marrë pjesë këto ditë në Maltë dhe trajneri Beqiri është munduar të afrojë në skuadër lojtarët që kanë qenë edhe më parë në përbërje të saj, por edhe elementë të rinj.

Padyshim që në rradhët e këtij ekipi nuk mund të mungojnë edhe futbollistët shkodranë të cilët kanë qenë gjithnjë baza e tij. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë, kur janë grumbulluar disa prej tyre.

Të grumbulluar këtë herë me kombëtaren U17 janë portieri i ekipit “Skutari” Enis Ujkaj, mbrojtësi i KF Shkodra Marçelino Preka dhe ai i Vllaznisë Erinis Mataj.

Përveç tyre janë grumbulluar edhe disa futbollistë shkodranë që luajnë jashtë Shqipërisë si Mario Mitaj që është pjesë e AEK Athinë, Andreas Ndoj që luan me Olimpiakos dhe Leandro Frroku që luan me Panathinaikos.

Shqipëria U17 do të marrë pjesë në një kompeticion që organizohet nga Federata Malteze e Futbollit nga data 3 deri në 9 mars 2019. Ajo do të përballet me organizatorët e Maltës, Skocinë dhe Danimarkën. Ndeshjet zhvillohet në 4, 6 dhe 8 Mars, në orën 11:00.
© shkodrasport.com