Teuta do presë sot në orën 17:45 në stadiumin “Niko Dovana” ekipin e Vllaznisë. Një sfidë ku durrsakët do kërkojnë me patjetër një rezultat pozitiv në fushën e tyre.

Kjo ndoshta edhe për të dalë nga kriza që ka kapur ekipin bregdetar në këtë fillim sezoni. Trajneri Shkëmbi ka më të mirët në dispozicion, duke mos pasur asnjë mungesë.

Kështu korçari pritet ta nisë me Qirkon në portë, që është një garanci për durrsakët. Në mbrojtje priten Marku në të djathtë dhe Kotobelli majtas.

Ndërsa qendra duket se ka dyshime ku Kuoros duket i sigurt për një vend titullari, me Jazxhin ose Kotobellin, ku ky i fundit mund të spostohet në qendër për ti lënë vendin Idrizajt në të majtë.

Mesfusha krahas emrave të eksperiencës si; Karabeci dhe Emiliano Vila, pritet të ketë të rreshtuar edhe Beqjan. Me Lorenco Vilen dhe Bocin që do veprojnë nga krahët, në mbështetje të sulmuesit shkodran, Rubin Hebaj. Tekniku korçar ka një provë të rëndësishme sot kundër Vllaznisë, ku në rast dështimi rrezikon shumë.
Endri ÇINARI