Rënien e papritur të formës së Mançester Sitit të tij, Pep Guardiola po e trajton si një sfidë personale përpara ndeshjes së sotme kundër Sauthemptonit. Tekniku katalanas i drejtohet bregdetit jugor, pasi ka parë skuadrën e tij që të mundet nga Kristal Palasi dhe Leiçesteri, duke rrëshqitur shumë poshtë Liverpulit kryesues.

“Është një sfidë e madhe për mua, për të treguar veten nëse jam i mirë apo jo”, tha 47- vjeçari gjatë konferencës për shtyp, e cila u zhvendos nga kalendari i zakonshëm i ditës së premte, pasditen e së shtunës. “Nuk do të them se më pëlqen të jetoj në këtë situatë, por e di se është diçka e zakonshme në futboll dhe në karrierën e një trajneri. Unë jam një djalë që së pari vendos pasqyrën përpara vetes. Nuk e drejtoj kurrë gishtin në drejtim të dikujt tjetër. Unë përpiqem të ndërtoj një hartë dhe zbuloj se ku i kam humbur këto ndeshje.

Të gjithë trajnerët e kanë, unë nuk jam përjashtim. Është më e lehtë të mendosh për Sauthemp tonin pas dy humbjeve sesa pas dy fitoreve”. Gabriel Zhezus, Fernandinjo dhe Kompani, të cilët munguan gjatë “Boxing Day” kundër “dhelprave”, u stërvitën të gjithë të shtunën, edhe pse trajneri duhet të vendosë nëse do t’i rrezikojë ata sot apo do të presë ndeshjen e madhe kundër Liverpulit të enjten. “Ne besojmë te këta lojtarë, fitojmë apo humbasim. Ata janë absolutisht heronj për mua, për atë që kanë bërë këto 16 muaj. Do t’u qëndroj gjithnjë pranë për pjesën e periudhës që na ka mbetur të punojmë së bashku. Fati ynë do të rikthehet”, përfundoi Pep.