Vllaznia pas 3 fitoresh dhe 1 humbje, ka gjetur edhe barazimin e parë në ndeshjet miqësore që është duke zhvilluar në prag të sezonit të ri. Ajo ka barazuar 1-1 ndaj Pogradecit, pas një pjese të parë loje shumë të mirë të kuqebluve, ndërkohë që në të dytën niveli i lojës së tyre ka rënë disi.

Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, kapiteni Erdenis Gurishta do të shprehej: “Normalisht duhet ta pranojmë se jemi në fazë përgatitore, jemi në kulmin e përgatitjeve, lojtarët janë të ngarkuar dhe kuptohet që trajneri bën disa skema për të parë të gjithë lojtarët, provon formacione të ndryshme por edhe vendosje të ndryshme.

Edhe ndaj Pogradecit, në pjesën e parë u mundua të aktivizonte lojtarët me të cilët mendon të fillojë kampionatin, ndërsa në pjesën e dytë ka aktivizuar të gjithë lojtarët. Ishin shumë lojtarë të rinj që nuk njihen me njëri- tjetrin dhe kjo besoj se ndikon në lojën e skuadrës.

Besoj se në pjesën e parë, ashtu si ndaj Devollit, ishte një pjesë e parë shumë e mirë nga ana jonë, krijuam aksione, krijuam volum loje. Edhe për të dytën nuk mund të them se ishte një pjesë loje e keqe për skuadrën tonë, por siç e thashë, lojtarëve të rinj u duhet kohë të njohin njëri- tjetrin. Me shtyrjen e kampionatit, besoj se është një favor për ne, do marrim formën e duhur dhe do lidhemi më shumë”.

I pyetur ndërkohë nëse sipas tij Vllaznia ka nevojë për të tjera përforcime, Gurishta do të shtonte: “Sa i takon merkatos, mund të them se grupi është plotësuar por nëse ka apo jo nevojë për lojtarë të tjerë, këtë gjë e dinë drejtuesit. Besoj se edhe me një sulmues tjetër që të jetë zëvendësues i Dungës, Vllaznia mendoj se do të jetë e plotë”.
www.shkodrasport.com