Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, nuk u druhet aleancave të rivalëve që mund të dëmtojnë skuadrën e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i shkodranëve ka thënë ndër të tjera se e ka pritur që Partizani të fitonte lehtësisht ndaj Kastriotit. Ai injoron Laçin në garën për titull, ndërsa shikon si rivalë deri në fund të kuqtë dhe Teutën.

Erdenis, një fitore shumë e mundimshme ajo ndaj Apolonisë. Sa të rëndësishëm ishin këto pikë pas tri ndeshjeve ku skuadrat po përjetojnë një minikrizë?

Pas humbjes me Laçin, ishte shumë e rëndësishme për ne marrja e tri pikëve. Natyrisht që e kishim parashikuar se ndaj Apolonisë do të ishte një përballje e vështirë, për vetë faktin se skuadra fierake ka luajtur mirë në ndeshjet me rivalët tanë. Kujtoj që i mori barazim Partizanit, por po ashtu zhvilloi një ndeshje të mirë kundër Teutës, edhe pse humbi në fund.


Partizani kaloi lehtësisht Kastriotin, një skuadër që ju mori pikë në “Loro Boriçi”. E prisje?

Unë e kam parashikuar edhe para një jave, që Partizani do ta fitonte lehtësisht ndeshjen kundër Kastriotit. Dhe kështu doli…

I druheni ndonjë aleance mes ekipeve për të dëmtuar Vllazninë?

Ne nuk kemi pse të merremi me ekipet e tjera apo me aleancat që krijojnë, por do të shohim vetëm veten tonë.