Java e 16-të e Kategorisë Superiore u zhvillua e gjitha në mesjavë, por me një orar disi të pazakontë sa i përket numrin të ndeshjeve. Nëse në javët e tjetra luhej dy deri maksimumi tri takime në 13:00, dje u shënua një rekord, pasi u zhvilluan plot katër ndeshje në këtë orar, pikërisht Teuta-Partizani 1- 0, Bylisi-Laçi 1-0, Luftëtari-Skënderbeu 2-0 dhe Vllaznia-Kukësi 1-2.

Vetëm Tirana-Flamurtari 2-0 u zhvillua me drita në “Selman Stërmasi”, me fillim në 16:00. Kampionati rikthehet sërish të dielën, me javën e 17-të, që do të jetë e fundit për këtë vit. Gjysma e garës përfundon më 22 janar 2020, kur dhe është parashikuar të zhvillohet java e 18-të. Ndërkohë, ajo që ra në sy në ndeshjet e djeshme, ishte fakti se tri skuadra u drejtuan nga trajnerë portierësh.

Luan Birçe që ka disa javë në pankinën e Flamurtarit dhe Emanuel Egbosë te Tirana, iu shtua dje Dritan Kristidhi, i cili debutoi me fitore si kreu i pankinës së Luftëtarit. Ndeshjen e parë në stolin e Teutës e kishte edhe Edi Martini, teksa durrsakët fituan 1-0 ndaj Partizanit.

Gjithashtu të kuqtë drejtoheshin për herë të parë nga Reinaldo Kalari, i cili është komanduar në këtë post. Ndërkohë, bie në sy numri i paktë i tifozëve, teksa pesë ndeshje të luajtura nuk kapin dot as 30% të pranisë në derbin Partizani-Tirana (19.000).

Në total dje kanë qenë 5500 shikues në pesë ndeshje. Rekordin e mban takimi i luajtur në “Selman Stërmasi”, ku kishte afro tre mijë tifozë bardheblu.