Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, mendon se pjesëmarrja në Ligën e Konferencës është më se e arritshme përmes kampionatit. Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi, mbrojtësi kuqeblu theksoi se fitorja ndaj Kukësit ishte detyrë në këtë moment delikat që po kalonte Vllaznia.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gurishta foli edhe për takimin që kuqeblutë do të luajnë të shtunën ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, ndërsa iu përgjigj edhe reagimeve të tifozëve, të cilët e kanë kritikuar se nuk ka pranuar të festojë pas ndeshjes me Kukësin. Sipas Gurishtës, ekipin e presin tri finale radhazi për Europën, pa shkuar te “beteja” me Laçin në Kupën e Shqipërisë.


Erdenis, së pari, si është e vërteta me grupimin e tifozëve, të cilët kanë mbetur të zhgënjyer për faktin se nuk keni shkuar të festoni me ta pas fitores me Kukësin?

Po, e ndjej për detyrë që të kthej një përgjigje, duke marrë shkas nga një postim i pakuptimtë, se gjoja unë paskam refuzuar festimin në fund të takimit. Kurrsesi nuk është e vërtetë, por edhe sikur të na ishte kërkuar që të bënim një festë të madhe siç bëmë me Partizanin, do të kisha preferuar që të mos e bënim diçka të tillë.


Pse mendoni kështu?

Mendoj kështu, sepse ka edhe tri javë kampionat dhe asgjë nuk kemi arritur. Unë jam ndër lojtarët e parë që afrohem drejt tifozëve për t’i falënderuar, si në fitore dhe humbje. Prandaj mendoj që më duken të pakuptimta postimet e bëra në rrjetet sociale. Secili prej nesh, duke filluar nga unë i pari dhe duke përfunduar te çdo një prej tifozëve, jemi shumë të vegjël para emrit të Vllaznisë.


Arritët një fitore shumë të rëndësishme ndaj Kukësit. A mund të themi se ky ishte një hap i madh për të siguruar pjesëmarrjen në Europë?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme përballë një rivali direkt. E dinim që tri pikët ishin opsioni i vetëm dhe të gjithë jemi të lumtur që ia dolëm, edhe pse goli erdhi në minutën e fundit. Mendoj se e merituam atë fitore, pasi ishim më lart se skuadra e Kukësit.

Loja që zhvilloi skuadra në takimin e fundit ju jep garanci për tri javët e mbetura dhe finalen e Kupës?

Kishte disa javë që nuk kishim rezultatet e duhura, por të gjithë ishim të bindur se ndaj Kukësit ekipi duhet të reagonte, sepse çdo hap fals do të na kushtonte. Ishte një ndeshje pozitive që duhet ta kishim mbyllur më shpejt, por që gjithsesi i rëndësishëm është trepikëshi dhe shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin ritëm.

Këtë javë luani ndaj Tiranës, që është shpallur kampione. Çfarë ndeshjeje prisni?

Do të jetë një ndeshje e fortë, edhe pse Tirana zyrtarisht është kampione. Ne duhet të luftojmë për maksimumin. Trepikëshi na ofron më shumë me Europën.


Jeni të bindur që me kalendarin që keni në tri ndeshjet e mbetura do të siguroni Europën përmes kampionatit?

Lufta jonë është sigurimi i Europës nëpërmjet kampionatit dhe duhet të japim gjithçka nga vetja në këto tri takimet e fundit, që të arrijmë këtë objektiv. Tani varet gjithçka nga ne dhe duhet që të bëjmë gjithçka, në mënyrë që në finalen e Kupës të jemi të qetë.


Çfarë duhet të bëni më mirë për të mbajtur vendin e tretë?

Edhe pse për momentin jemi në vendin e tretë, duhet ta kuptojmë që këto tri javë janë finale për ne, sepse çdo gabim na largon nga objektivat. Gara për Kupat e Europës do të jetë shumë e luftuar deri në javën e fundit. Duhet të kemi të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin agresivitet si në ndeshjen me Kukësin, pasi kështu do t’i arrijmë synimet.