Erdenis Gurishta, tashmë është kapiten i Vllaznisë dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm. Mbrojtësi anësor ka qenë besnik gjithnjë ndaj ngjyrave kuqeblu, teksa në një intervistë për rubrikën “Në Kohën e ABC”, ka treguar për trajnerin që ka pasur më shumë ndikim të atij, ndërsa shton se dikur shokët e thërrisnin Xhon Terri.

“Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë pseudonim a nofkë. Shokët përpara shpesh herë më thërrisnin Xhon Terri, pasi kur isha i vogël e pëlqeja shumë si lojtar. Më thoshin se i ngjaja nga mënyra e lojës, por edhe në pamje”.

Trajneri me më shumë ndikim- ““Kam kaluar shumë trajnerë të mirë, duke nisur me Brikeno dhe Sabi Bizin, Endri Çakun dhe Luan Zmijanin. Ndikimin më të madh tek unë e ka pasur Zmijani, kur ishim tek ekipi U19 dhe më pas kalova tek ekipi i parë i Vllaznisë. Pas gjashtë muajsh ai mori ekipin e parë dhe nisa të aktivizohem si profesionist, ndaj edhe mendoj se ai ka pasur ndikimin më të madh tek unë”.

Ndeshja që nuk harron- “Një nga ndeshjet më të çuditshme që mbaj mend ka qenë një kundër Pogradecit. E mendonim si ndeshje të fituar dhe e nënvlerësuam Pogradecin. Ne ishim kampionë, pa diskutim. Morëm penallti në minutat e para të ndeshjes, unë isha ai që i gjuaja në atë kohë dhe e humba.

Pjesa e parë mbaroi 0-0 dhe morëm penallti edhe në pjesën e dytë. Unë doja ta gjuaja sërish, por trajneri dha urdhër që ta gjuante Kalaja. Arlindi e gjuajti dhe e humbi. Pas pesë minutash Pogradeci na shënoi gol dhe ne kemi barazuar në minutën e pestë shtesë. Ishte një ndeshje e çuditshme, pasi humbëm dy penallti, në një ndeshje që duhet ta fitonim pa probleme”.