Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, nuk duket se është tërësisht i qetë para sfidës ndaj Tiranës. Mesfushori me tipare sulmuese, Viktor da Silva, u largua i dëmtuar pak minuta para përfundimit të ndeshjes kundër Skënderbeut.

Ai shfaqi sërish shqetësime në gju dhe kjo ka alarmuar stafin. Nga sa mësohet, braziliani po kryen një terapi intensive, por gatishmëria e tij për ndeshjen e nesërme ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” është në pikëpyetje.

Da Silva kapi formën optimale pas dëmtimit që pësoi muajin e kaluar dhe në 2-3 ndeshjet e fundit ka qenë lojtari më i mirë i kuqebluve. Një mungesë e tillë mund të jetë tejet shqetësuese për Brdariçin, që me sa duket do të bëjë lëvizjen e radhës në fazën ofensive.

Gjithsesi, sot do të shikohet më mirë nëse braziliani do të grumbullohet për ndeshjen me bardheblutë apo nuk do të rrezikohet nga stafi teknik. Nga ana tjetër, ende nuk është në formën optimale edhe mesfushori Fjoart Jonuzi, i cili ka munguar për shkak dëmtimi në takimet me Apoloninë dhe Skënderbeun.

Sa u përket kartonëve, asnjë lojtar nuk ka plotësuar numrin e tyre. Vetëm Adili dhe Kaleziç rrezikojnë nëse do të ndëshkohen ndaj Tiranës.