Futbollisti shqiptar Jon Mersinaj, i cili luan për Lokomotivën e Zagrebit dhe ekipin kombëtar të Shqipërisë, ka ndarë reagimin e tij ndaj shortit që ka vendosur Shqipërinë në një grup të fortë për Euro 2024, grupi B, përbërë nga Kroacia, Spanja dhe Italia.

“Më vjen mirë që Shqipëria dhe Kroacia janë në të njëjtin grup. Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua”, shprehet Mersinaj, sipas asaj që transmeton mediumi kroat “24 sata“.

Ai tregon se ka pasur ndjenjën se Shqipëria do të përfundojë në një grup të vështirë, që ai e quan “të zjarrtë”, dhe shton “Të fitojë më i miri”.

Mersinaj e pranon cilësinë e lartë të kundërshtarëve në grup, sidomos të Kroacisë: “Kroacia ka një numër lojtarësh cilësorë, ata luajnë futboll interesant. Për rezultatet e skuadrës së Zlatko Daliçit tashmë është thënë gjithçka. Kroacia ka përvojë të madhe për të luajtur në garat e mëdha”.

Ai gjithashtu përmend fuqinë kolektive të ekipit si sekretin e suksesit të Shqipërisë deri më tani.

“Forca jonë më e madhe është loja kolektive. Ne u kualifikuam në Euro për këtë. Kemi edhe lojtarë të rinj të fuqishëm. Në fakt, një përzierje cilësore. Ka edhe lojtarë më me përvojë. Funksionon mirë, të gjithë marrim frymë si një”, vazhdon ai.

Kur pyetet se si do të përballen me Bruno Petkoviqin e Kroacisë në Euro 2024, Mersinaj bën një përgjigje me humor. “Brunon e njoh shumë mirë, kemi luajtur shumë herë kundër njëri-tjetrit. Një lojtar shumë i mirë, i fuqishëm dhe cilësor. Pa dyshim, ai është një nga lojtarët më të mirë në HNL. E kam idenë si ta ndaloj, por nuk të them ha, ha,” përfundon ai. /Telegrafi/