Një finale e parakoshme për mbijetesën do të jetë ajo e ditës së dielë, teksa Teuta do të ndeshet ndaj ekipit të Vllaznisë.

Shkodranët ndodhen vetëm 3 pikë larg Teutës dhe zonës së ftohtë, teksa një ndeshje e veçantë do të jetë kjo për mbrojtësin e durrsakëve, Elsin Hakaj i cili do të luajë kundër vendlindjes së tij në një moment delikat.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, Hakaj është shprehur se do të kërkojë maksimumin ndaj shkodranëve nëpërmjet tifozëve, që për të janë lojtari i 12-të i Teutës.

“Ndeshjen ndaj Vllaznisë e presim me qetësi, pasi kemi marrë rezultate pozitive në ndeshjet e fundit.

Do të jetë vendimtare pasi është ndeshje direkte, por gjithashtu mund të afrojmë edhe Kamzën.

Tashmë shpresojmë që me këtë ndeshje të ngjitemi në renditje dhe të kemi vazhdimësi.

Me anë të tifozëve mund t’ia dalim me fitore, pasi është lojtari i 12-të për ne.

Sigurisht që është vështirë pasi do të luajë ndaj Vllaznisë, ndaj vendlindjes sime, megjithatë ky është futbolli dhe do të tentojmë fitoren në ndeshjen e së dielës”, është shprehur Elsin Hakaj. / vipsport/