Ekipi Kosova Munchen po bën një paraqitje shumë të mirë në ligën e gjashtë gjermane dhe konsiderohet pretedenti kryesor për ngjitjen një kategori më lart.

Tetë ndeshje, tetë fitore, kjo është ecuria e këtij ekipi në fillim të kampionatit dhe padyshim që në këtë ecuri të shkëlqyer, një meritë ka edhe portieri shkodran Ervin Hallunaj që luan për të.

Ai ka bërë paraqitje të shkëlqyera në të gjitha ndeshjet e luajtura duke qenë një nga pikat më të forta të FC Kosova Munchen. Vetë portieri në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet shumë i kënaqur për këtë aventurë të re që ka nisur.

“Të them të drejtën jam duke u ndjerë jashtëzakonsisht mirë tek ky ekip i cili është i përbërë thuajse i gjithi nga futbollistë shkodranë.

Ky është i vetmi ekip shqiptarësh në Mynih dhe ndiqet me interes edhe nga një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Ecuria ka qenë shumë e mirë dhe padyshim që meritën më të madhe për këtë gjë ka trajneri i ekipit Bajram Kaqkini i cili ka ndërtuar një skuadër shumë solide dhe po bën një punë shumë të mirë.

Kuptohet që objektivi është të vazhdojmë në këtë rrugë dhe në fund të kampionatit të ngjitemi një kategori më lart.

Në aspektin personal kjo është një përvojë shumë e mirë dhe ndoshta erdhi në momentin e duhur sepse kam gjetur vetveten dhe jam shumë i kënaqur”- ka deklaruar ai.
© shkodrasport.com