Zbulohet destinacioni i ri i mundshëm i Hamdi Salihit për pjesën e dytë të sezonit. Sulmuesi shkodran, sikurse është raportuar javët e fundit, pritet ta vijojë karrierën në Europë, pikërisht në kampionatin francez tek skuadra e Nantes. Lajmi konfirmohet nga prestigjiozja franceze L’equipe, që u referohet levizjeve më të fundit te skuadra që renditet në vendin e 6 në Ligën e parë. Drejtuesit e Nantes kanë vendosur t’i besojnë sulmuesit shqiptar, i cili nga e marta duhet të bindë trajnerin Michel Der Zakarian, para se të hedhë të zezën mbi të bardhë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare konsiderohet alternativa më e mirë për zëvendësimin e Filip Djorxhevic, i cili pritet të largohet në fund të sezonit nga kjo skuadër. Gjithsesi te Nantes nuk janë të sigurtë se kanë bërë zgjedhjen e duhur me Salihin, që nuk ka qenë në kontakt me futbollin Europian që prej shkurtit të 2012, kur u transferua në MLS te DC United e më pas në Kinë te Iangsu Sainty. Mediat franceze kanë kontaktuar edhe me ish-futbollistin e kombëtares, Edvin Murati, për mësuar të dicka më shumë rreth “bomberit” shqiptar dhe sigurisht opinioni i tij i ish-mesfushorit të Paris Saint Germain ka qenë pozitiv. Francezët i ngroh më shumë fakti se Salihi është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në aktivitet me 11 finalizime si dhe karriera e tij e shkëlqyer në Austri me Riedin dhe Rapidin e Vjenës. Gjithsesi, Ligue 1 mbetet një provë e vështirë për shkodranin, i cili duhet të tregojë se nuk e ka humbur instiktin e golit. Transferimi i Salihit në Francë do të ishte një lajm i mirë edhe për kombëtaren shqiptare, që kohët e fundit ka vuajtur shumë në fazën sulmuese me Edgar Canin jashtë formë dhe Erjon Bogdanin që nuk shkel prej gati 8 muajsh në fushën e blertë.