Merr fund “telenovela” pwr sulmuesin shkodran Hamdi Salihi. Ai do ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist profesionist në bregun lindor të SHBA. Mbrëmjen e së enjtes ai i ka fiksuar një fund të lumtur për telenovelën e merkatos së janarit, teksa ka arritur akordin përkatës për t’iu bashkuar “D.C. United”. Gazeta austriake “Kurier” thotë se sulmuesi shqiptar ka anashkaluar ofertën shumë të mirë finaciare, të mbërritur nga Kina, më saktësisht nga skuadra Changchun, për të shkuar në Amerikë. Një shtysë pozitive për 28-vjeçarin duket se ka qenë e dashura e tij, Rosela, që jeton në afërsi të Nju Jorkut. Salihit i mbetet të kryejë testet mjekësore, të pajiset me vizën e punës në SHBA (këto procedura mund të marrin deri në dy javë kohë), klubi i tij i ri amerikan të arkëtojë disa mijëra euro në llogarinë e Rapidit të Vjenës, ndërkohë që ky i fundit mund të mbetej edhe “thatë”, nëse kontrata e shqiptarit mbaronte në verë. Ka pasur shumë thashetheme rreth sulmuesit Hamdi Salihi gjatë javëve të fundit, sa u konsiderua edhe “teatër” transferimi i tij në merkaton e janarit. Tarifa e transferimit nuk është bërë e njohur. Megjithatë, përflitet një tarifë transferimi, që dërgon rreth 400.000 € në arkën e Rapidit. Salihi shënoi 53 gola për Rapidin e Vjenës, klub me të cilin u bashkua verën e vitit 2009, në 90 ndeshje zyrtare me kryeqytetasit e Vjenës. Peter Schottel, trajneri i Rapidit, duke folur për këtë destinacion të ri të sulmuesit shqiptar, ka nënvizuar: “Hamdiut i uroj personalisht dhe në emër të skuadrës gjithë të mirat në të ardhmen e tij Ai ka bërë shumë për ne, te Rapidi ka arritur rezultate të rëndësishme”.