Historia 100 vjeçare e Vllaznisë jo më kot konsiderohet e suksesshme. Në shumë lloje sporti sepse secili prej tyre ka patur brenda tij, sportistë kampionë, ka patur trajnerë të shkëlqyer të cilët edhe me mbështetjen e sportdashësve shkodranë dhe të gjithë sëbashku kanë lartësuar këtë emër në vite me rradhë.

Dikush ka marrë meritat e duhura për këtë kontribut të dhënë, por ka patur edhe të tjerë që ndoshta meritojnë më shumë vëmendje, më shumë respekt.

Në ceremoninë e zhvilluar në teatrin “Migjeni” në mes të dekoruarve me titullin “Mjeshtër i Madh” duhej të ishte ndoshta edhe trajneri më i suksesshëm në historinë e mundjes shkodrane Eljaz Ahmeti.

Vetë ai ndjehet disi keq që mbase është harruar, megjithatë mundohet ta kalojë me humor kur thotë: “Jam emigrant dhe ndoshta për këtë më kanë lënë pak në harresë, megjithatë kam respektin e sportistëve të mi, të sportdashësve dhe gazetarëve dhe të gjithë këta do t’i mbledhë në mars për të festuar 80 vjetorin e lindjes. Dua të bëj një festë të madhe tani sepse nuk e di nëse 85 vjetori më gjen gjallë apo jo”.

Ne flasim vetëm për Eljaz Ahmetin si trajner, por karriera e tij nuk është vetëm ajo si drejtues. Po kaq e suksesshme ka qenë edhe si sportist teksa është shpallur 8 herë kampion i Shqipërisë në vitet 1961-1968 duke konkurruar në peshat 73, 82 dhe mbi 90 kg.

Po ashtu gjatë këtyre viteve ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar duke zhvilluar ndeshje ndaj kundërshtarëve nga Hungaria, Polonia, Bullgaria, Turqia e Bashkimi Sovjetik.

Pas lënies së sportit, filloi karrierën si trajner me të rinjtë e Partizanit, por jo për shumë kohë sepse do të kthehej në Shkodër. Aty do të marrë drejtimin e ekipit të mundjes së lirë të Vllaznisë të cilën e drejton për 17 vite me rradhë, nga 1973 deri më 1990. Nën drejtimin e tij ka fituar 14 trofe: 7 tituj kampion, 6 Kupa të Republikës dhe finalet e Spartakiadës së 5-të kombëtare në vitin 1984.

Nga duart e tij kanë dalë 42 sportistë që janë shpallur kampionë si individ, prej të cilëve 27 kanë merituar titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Mjeshtër Sporti” ndërsa sëfundi edhe me dekorimin e Rrok Bardelit, bëhen 3 mundës të tij që kanë marrë edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Vetë Eljaz Ahmeti në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” ndjehet krenar për sportistët që ka drejtuar: “Kam drejtuar një ekip që për 17 vjet ka marrë shumë trofe. Ka marrë 5 kupa në Spartakiadën e 5-të Kombëtare, ka fituar 7 tituj kampionë si ekip dhe 6 Kupa Republike.

Në kaq vite, të marrësh kaq trofe, besoj se është një arritje, kur ke parasysh edhe konkurrencën jashtëzakonisht të madhe që kishte sporti i mundjes në ato vite.

Por këto arritje kanë ardhur sepse ekipi ka patur në rradhët e tij sportistë të mëdhenj nga të cilët nuk mund të veçoj asnjërin sepse të gjithë kanë qenë të shkëlqyer. Por mbi të gjitha dua të veçoj kompaktësinë që ka patur ky ekip, i cili nuk ka bërë asnjë gabim gjatë këtij
rrugëtimi 17 vjeçar.

Ka patur një harmoni të shkëlqyer në mes njëri- tjetrit, nuk kishtë rëndësi kush humbte dhe kush fitonte pasi të gjithë ishin një dhe i jepni kurajo shoku- shokut, vetëm e vetëm që Vllaznia të fitonte.

Unë kam drejtuar edhe ekipin kombëtar në vitet 1983 dhe 1984 dhe një e katërta e ekipit kombëtar përbëhej nga sportistët shkodranë. Ato nuk e kisha marrë me hatër unë në ekipin kombëtar por kishin ardhur me meritë, i kishte zgjedhur Federata për cilësitë që kishin. Prandaj jam i lumtur që kam punuar me këta sportistë dhe kjo më ka dhënë një sadisfaksion të madh në jetën time.
/Gjergj KOLA/www.shkodrasport.com/