Humbja ndaj Marokut ka vënë në diskutim kualifikimin e mëtejshëm të Belgjikës në Botëror dhe situata nuk është aspak e mirë në grupin e “djajve të kuq”. Mediat belge flitnin edhe për një përleshje mes lojtarëve në dhomat e zhveshjeve, më saktësisht për një sherr mes Eden Hazard dhe Jan Vertongen.
Por ka qenë pikërisht sulmuesi i Realit, ai i cili bashkë me Tibo Kurtua është shfaqur para mediave sot, duke e përgënjeshtruar një gjë të tillë.
“Në hotel kishim një bisedë të mirë mes lojtarëve dhe asgjë nuk ka ndodhur. Janë thënë shumë gjëra. Diskutimi në grup? Zgjati rreth një orë. U përmenden gjëra të mira dhe gjëra më pak të mira.
Në dhomat e zhveshjeve nuk ndodhi asgjë pas ndeshjes, foli vetëm trajneri. Kurse dje kemi folur në analizë me ekipin. Nuk do të zihem me Vertongen, ai është më i madh se unë!”, tha duke qeshur futbollisti para gazetarëve duke i dhënë fund në këtë mënyrë zërave për një sherr mes të dyve.